Kosova është në gjendje gatishmërie dhe e përgatitur për sulme të mundshme terroriste. Deklaratën e ka bërë vetë ministri i brendshëm Skënder Hyseni, i cili konfirmoi atë që është thënë prej kohësh në raportet ndërkombëtare se Kosova është vend i origjinës i luftëtarëve të huaj.
Sipas Hysenit, aktualisht nuk ka informacione të besueshme për sulme terroriste por mekanizmat e sigurisë në vend po veprojnë njësoj sikur të kishte informacione për sulme. Gjatë deklaratës për media, Hyseni tha se janë rreth 100 kosovarë luftojnë përkrah organizatave terroriste në Siri dhe Irak dhe se autoritetet e konsiderojnë këtë një çështje shumë serioze. Sipas tij të paktën 40 qytetarë të Kosovës janë vrarë gjatë luftimeve në vatrat e luftës në Lindje të Mesme. Sipas ministrit, terrorizmi, trafikimi i qenieve njerëzore, pastrimi i parave dhe trafiku i drogës, janë fenomene që Kosova nuk mund ti luftojë e vetme pa bashkëpunimin sistematik ndërkombëtar. Hyseni shtoi se bashkëpunimi më i mirë do të ishte anëtarësimi i Kosovës në Interpol e mekanizma të tjerë të sigurisë.