DEBATET NË KONFERENCËN PËR SHTYP TË DY KRYEMINISTRAVE.Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi në Beograd se pavarësia e Kosovës është një realitet i pamohueshëm, që i ka shërbyer sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Ka mjaftuar kjo fjali e kryeministrit shqiptar për të tensionuar konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e qeverisë serbe, i cili ka hequr kufjen, duke mos e dëgjuar më deklaratën e homologut të tij.Kryeministri serb reagoi ashpër, duke e cilësuar si provokim deklaratën e Ramës për Kosovën. Duke përsëritur qëndrimin se Serbia do ta konsiderojë gjithnjë Kosovën si pjesë të sajën, Vuçiç tha se nuk do lejojë askënd që të ulë Serbinë në mes të Beogradit. Kryeministri shqiptar theksoi se shpreson që gjenerata e re që qeveris Serbinë do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë me rëndësi strategjike për lidhjen e fateve evropiane të dy vendeve. Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se shqiptarët kanë kurajën, besimin dhe vizionin për të shtrirë dorën e bashkëpunimit të sinqertë.