PAS 5 MUAJSH, ENDE KY SHTET NUK KA INSTITUCIONET E SAJ.Duket se Kosova ende pesë muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit vazhdon të mbetet në ngërçin politik dhe paqartësinë për krijimin e institucioneve qeveritare. As deklarata e djeshme e koalicionit paszgjedhor për tërheqjen nga posti i kryeparlamentarit, nuk solli zgjidhjen e pritur.
Lideri i Nisma-s, Fatmir Limaj tha se” Koalicioni është i gatshëm që kryetarin e Kuvendit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese të votojë propozimin e PDK, natyrisht me kusht që Presidentja ti hapë rrugë formimit të qeverisë”. Nga ana tjetër kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ishte i prerë në qëndrimin se “nuk do të ketë Zgjidhje të pjesshme dhe të improvizuara, duke theksuar se “tani ka dy opsione të vetme që duhen marrë në konsideratë seriozisht dhe shpejt”, i pari takimi së bashku për “zgjidhjen më të mirë për vendin dhe qytetarët e lodhur nga pritja” dhe i dyti që të ulen përsëri bashkë dhe të vendosin se kur të caktojmë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.Lideri i PDK-së, Thaçi, i nominuar për kryeministër edhe për një mandat të tretë nga koalicioni fitues i zgjedhjeve, sfidohet nga koalicioni që bëri shumicën me marrëveshjen e dy ditë pas zgjedhjeve, të 10 qershorit, e cila u ndryshua. Gjatë mbrëmjes së djeshme u bë e ditur zyrtarisht se, “LDK-ja, si prijëse e koalicionit të shumicës parlamentare, është e përcaktuar të punojë intensivisht për themelimin e qeverisë së re të vendit, të udhëhequr nga LDK-ja”. Pas kësaj, ende nuk ka ndonjë komunikatë zyrtare nga AAK-ja, lideri i së cilës, Ramush Haradinaj, sipas marrëveshjes së koalicionit të pas zgjedhjeve të 8 qershorit, ishte nominuar për kryeministër. Tani, sipas komunikatës së LDK-së, i nominuari për kryeministër pritet të jetë vetë lideri i saj, Isa Mustafa, i cili pas marrëveshjes së para pesë muajve, u propozua dhe u votua kryetar Kuvendi në ditën e nisjes e ndërprerjes së seancës konstituive në 17 korrik, por kjo zgjedhje u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pritet që pas kësaj lëvizje të fundit nga liderët politikë në Kosovë të ketë dhe një qëndrim përfundimtar nga presidentja e vendit Ahtifete Jahjaga.