Përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës kanë uruar popullin amerikan dhe presidentin e zgjedhur Donald Trump.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka uruar fitoren Donald Trumpit në zgjedhjen e tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për katër vitet e ardhshme. Thaçi ka thënë se miqësia e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është bazamenti mbi të cilin do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit dypalësh.
Me anë të një komunikate për media nga presidenca thuhet se presidenti Thaçi, “në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, i ka uruar presidentit të zgjedhur amerikan edhe mandat të suksesshëm në realizimin e prioriteteve të popullit amerikan”. Thaçi ka falënderuar edhe ish-sekretaren Hillary Clinton.
“Sekretares Clinton i jemi përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi. Urime popullit amerikan dhe presidentit Trump i janë adresuar edhe nga tabori opozitar. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar popullin amerikan për zgjedhje të mira dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump. “Njëkohësisht urimet më të mira për presidentin e ri Donald Trump, me bindjen e thellë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e tij, do të vazhdojnë të jenë partner strategjik i Kosovës dhe i Ballkanit, në rrugëtimin drejt demokracisë perëndimore”, thuhet në urimin e Haradinajt. Kosova e vogël do të vazhdojë të jetë një aleate dhe një mike e Amerikës së madhe, ka nënvizuar Haradinaj. Po ashtu, edhe Haradinaj i ka shprehur mirënjohje të thellë Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, një mike e madhe e Kosovës, për gjithë çfarë ka bërë për Kosovën.