Kosovari transporton familjen serbe që të fitojë azil në Gjermani
Rreth orës 2 të pas mesnatës së mbrëmshme, Policia Federale Gjermane ka ndaluar një makinë që po hynte në vend nga Holanda. Në makinë ishin gjashtë persona. Gjatë kontrollit u konstatua se dy prej personave ishin me dokumente të rregullta, një shofer 27 vjeçar nga Mali i Zi dhe personi që rrinte ulur në ndenjësen e parë pranë tij, një shtetas kosovar i moshës 31 vjeçare, shkruan dpa.de. Katër të tjerët që ndodheshin në makië ishin shtetas të Serbisë, të moshave 20 deri 54 vjeçare, tre burra dhe një grua. Ata nuk kishin me vete dokumente valide, transmeton albinfo.ch. Nga hetimet fillestare u mor vesh se katër shtetasit e Serbisë kishin kërkuar më parë azil në Francë dhe pastaj në Holandë, por pa sukses. Ndaj tyre është inicuar një procedurë hetimore lidhur me dyshimin për hyrje të paligjshme në Gjermani. Pasi familja me shtetësi serbe ka kërkuar azil, përgjegjësia për trajtimin e saj të mëtejshëm i takon Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF). Ndërsa ndaj malazezit dhe kosovarit pritet nisja e procedurës hetimore lidhur me dyshimin e trafikimit të të huajve.