NË RAST TË KUNDËRT PRITET QË TË KETË SERISH ZGJEDHJE.Kjo është java e fundit që liderët e partive politike në Kosovë duhet të bien në akord për një marrëveshje për zgjidhjen e ngërçit politik, në të kundërt presidentja do të nisë bisedimet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Zyrtarë të presidencës kanë thënë për mediat kosovare se java e dytë e nëntorit do të jetë edhe koha e shpalljes së zgjedhjeve të reja nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për ndërtimin e institucioneve të reja. Por deri më tani, asnjëra prej partive politike në vend as nuk hap rrugë dhe as janë shprehur pro zgjedhjeve, me arsyetimin se duhet të krijohen institucionet e reja, bazuar në zgjedhjet e 8 qershorit, të cilat e kanë lënë vendin deri më tani pa qeveri dhe institucione. Kjo lëvizje vjen pas bllokimit financiar të Kosovës, në mungesë të buxhetit të miratuar në Kuvend. Ndërkaq, ekspertët ekonomikë në Kosovë e kanë vlerësuar vendimin e një dite më parë për miratimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2015 si të paligjshëm, për shkak se qeveria aktuale nuk ka të sigurt të ardhmen e saj. Kështu, politikat buxhetore të përcaktuara mund të ndryshohen nga cilado qeveri që do ta udhëheqë vendin për 4 vitet e ardhshme.