POSTI I KRYEMINISTRIT VË NË RREZIK KOALICIONIN. Blloku VLAN në Kosovë po jeton siç duket orët e fundit.
Burime të besueshme thanë se ka 100 përqind mundësi tashmë që blloku të shpërbëhet dhe koalicioni i ri qeveritar të formohet nga njëra nga partitë e bllokut me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit.Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i dha PDK-së të drejtën për të pasur kryetarin e parlamentit që i ishte dhënë kryetarit të LDK-së Isa Mustafa nga Blloku dhe kërkesa pasuese e LDK-së për të marrë postin e kryeministrit, i dha goditjen përfundimtare unitetit të Bllokut opozitar, që kishte nënshkruar marrëveshjen për të krijuar një qeveri të përbashkët me kryeministër Ramush Haradinajn e AAK-së.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, ka sot mbledhjen e kryesisë së saj, e cila pritet të dalë me një vendim që do të përcaktonte edhe fatin e Bllokut.Qofte, LDK, qoftë AAK, janë treguar të kujdesshme për të mos marrë përsipër fajin e prishjes së bllokut dhe kërkesat dhe akuzat nuk janë bërë nga zyrtarët shumë të lartë të dy partive.Ndërkohë, Partia Demokratike e Hashim Thaçit ka rezistuar për të mos e thirrur seancën e parlamentit duke pritur çarjen e bllokut dhe mundësinë e një aleance dhe koalicioni qeveritar me një nga partitë e bllokut, LDK-në ose AAK-në. Vendimi i sotëm i kryesisë së AAK-së do ti hapte rrugën një koalicioni të ri qeveritar në Kosovë ndërkohë që presioni ndërkombëtar ka bërë që mundësia për të mbajtur përsëri zgjedhje parlamentare, të bjerë poshtë.