Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi të martën se i ka shpallur të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit për kushtetutshmërinë e këtij ligji. Në një njoftim për medie, Kushtetuesja tha se “paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41, për shtesat tranzitore, dhe paragrafi 2 i nenit 45 (shfuqizimi Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës) të ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të aktgjykimit”.

Ajo theksoi se vendimi i saj nuk i prek “në asnjë mënyrë” zyrtarët dhe nëpunësit të cilëve u është ngritur niveli i pagës përmes Ligjit për pagat. Gjykata ka urdhëruar Kuvendin që në periudhën prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të vendimit të saj, t’i ndryshojë, apo plotësojë nenet e lartcekura në pajtim me Kushtetutën.

Ligji për pagat në sektorin publik u miratua nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2022. Me ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Janë rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit./REL

Artikulli paraprakSHËRBIMET E INTERNETIT DHE KOMUNIKIMIT NDËRPRITEN NË GAZA
Artikulli tjetërNGA JAVA QË PO VJEN QYTETARËT E KOSOVËS DO TË UDHËTOJNË PA VIZA NË BE