Në prani të familjarëve të viktimave të luftës, në Prishtinë është hapur ekspozita me fotografi të fëmijëve të vrarë në luftën e fundit të Kosovës me titull “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë.
Ekspozita e kuruar nga Blerta Hoçia, sjell kujtimin e 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës së Serbisë në Kosovë në periudhën 1998-2000.
Dhjetëra fotografi, veshje, libra të shkollës fillore, fletore, mbathje dhe objekte të ndryshme u shfaqën në një hapësirë të ashtuquajtur “dhomë prej xhami”, ku secili nga objektet përmbante edhe rrëfimin e veçantë.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), Bekim Blakaj, para hapjes tha se kjo ekspozitë është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë me familjarët e viktimave.
“Ne në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë kemi ndjerë dhe kemi pasur një nevojë të madhe që të përkujtojmë në mënyrë të posaçme fëmijërinë e ndërprerë për shkak të luftës. Prandaj, ne në FDHK, ka më shumë se një vjet që kemi planifikuar që në 20 vjetorin e luftës në Kosovë, të ndërtojmë një memorial për fëmijë të cilët janë vrarë apo janë zhdukur si pasojë e luftës”, tha Blakaj, i cili tregoi se gjatë ekspozitës nuk do të deklarohet askush, ngase siç tha ai, pamjet flasin vetë.
Siç është shkruar në përshkrimin e ekspozitës, kjo ekspozitë vjen “si një ftesë për përballje dhe për reflektim, për dialog dhe shërim, duke nisur ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve. Më shumë se sa një ekspozitë, ky është një memorial dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë”.
FDHK që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut.
Ekspozita realizohet nga FDHK dhe mbështetet nga organizata amerikane National Endowment for Democracy (NED), Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit