Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka liruar të premten nga detyra ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, Ibrahim Xhakan si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn.

“Në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Bajram Rexha, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës të Kosovës, dhe z. Ekrem Hysenaj ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kosovës”, është thënë në një komunikatë për media të kryeministrisë.

Po të premten, kryeministri ka liruar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.”Në përputhje me Ligjin për Policinë, Kryeministri Hoti ka emëruar z. Samedin Mehmetin, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, është thënë po ashtu në njoftim.

Qalaj ishte emëruar në këtë pozitë më 28 gusht të vitit 2018 nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj. Para këtij posti, Qalaj ka shërbyer si Drejtor i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës.

Artikulli paraprakTAJFUNI NANGKA NUK FAL VIETNAMIN, VDESIN 13 PERSONA TË EKUIPAZHIT TË SHPËTIMIT
Artikulli tjetërROLEX DHE VALENTINO, KAPET NGARKESA ME VESHJE E ORA FALSE NË BRINDIZI! VININ NGA SHQIPËRIA