Një milion e 794 mijë e 862 votues me të drejt vote, prej tyre 49 mijë e 198 votues për herë të parë, sot vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe Qeveri. Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë. Qytetarët me të drejt vote do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2382 vendvotime.
Ndërkohë, 88 prokurorë do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestarë për ditën e zgjedhjeve. Gjatë ditës së zgjedhjeve subjektet politike, ojq-të dhe qytetarët që mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur mund të paraqesin ankesat në Panelin Zgjedhor në afatin prej 24 orëve nga mbyllja e qendrës së vendvotimit. Demokracia në Veprim do të ketë 500 vëzhgues të cilët do të jenë në qendra të votimit, të vendvotime të ndryshme.
Ndërkohë, shefi i zyrës së BE dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse, u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit.