Nga shpërthimi i një granate dore në orët e vona të së hënës në Mitrovicë të Veriut janë plagosur dy persona.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se njëri nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spitalin në Mitrovicë të Veriut. Por, sipas tij ai është jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkaq, personi tjetër është plagosur lehtë.

“Nuk kemi arsye të besojmë se ky rast ka lidhje me çështje etnike”, tha Elshani.

Nga Policia thanë se ngjarja ndodhi në orën 23:50 të 15 janarit, kur tre persona, të nacionalitetit serb – dy prej të cilëve u plagosën – dolën nga një lokal në Bishevac në Mitrovicë të Veriut dhe me të dalë një veturë u është afruar dhe u ka hedhur një granatë dore.

Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe shtatë vetura që gjendeshin aty pranë, ndërkaq autoritetet e sigurisë thanë se po merren për zbardhjen e këtij rasti.

Edhe në të kaluarën në Mitrovicë të Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – ka pasur incidente me mjete plasëse./ REL

Artikulli paraprakKA DIÇKA NË DASHURI QË NUK FUNKSIONON, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërKONTROLLI I CILËSISË SË VAJIT TË ULLIRIT, MIRATOHEN KRITERET PËR ANALIZAT QË DUHET TË KRYEJNË PRODHUESIT DHE AMBALAZHUESIT