Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka pritur në një takim takim Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Albena Reshitaj. Krerët e dy ministrive biseduan rreth problematikave dhe projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit duke konfirmuar nënshkrimin e projekteve të përbashkëta në mbledhjen e ardhshme midis dy qeverive.
“Ne kemi shumë shanse dhe kemi shumë ide për të realizuar projekte të përbashkëta në mbrojtjen e mjedisit pasi problematikat janë pothuajse të njëjta, shqetësimet e qytetarëve tanë janë në të njëjtën gjatësi vale”. Standartizimi i përbashkët i lejeve mjedisore për ndotësit e mëdhenj në të dyja anët e kufirit, është vetëm një nga projektet konkrete që do të implementojnë të dy vendet. “Vendosëm së bashku që të realizojmë një standartizim të lejeve mjedisore për problematikat e mëdha që kanë të bëjnë me ndotësit e mëdhenj të mjedisit e këtej apo andej Alpeve dhe që të kemi mundësi që së bashku ne të fillojmë edhe aksionet e mëdha sensibililizuese”.
Palët diskutuan mbi projektet edhe në fushën e turizmit, duke vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve. Takimi vjen vetëm pak javë para mbledhjes së përbashkët midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës më 27 nëntor 2017.