201 prokurorë ose gjyqtarë nuk kanë kaluar ende në filtrin e Vettingut! Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë bilancin e punës së tyre, në të cilën është bërë me dije në total 604 subjekte, kanë përmbyllur procesin e rivlerësimit kalimtar, ose e thënë ndryshe, 75% të listës totale prej 805 subjektesh. Nga këto 118 vendime janë dhënë vetëm brenda 2022, e për KPK ky është një bilanc pozitiv, pasi është arritur edhe objektivi i vendosur.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka përmbyllur procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve për 75% të listës totale prej 805 subjektesh. Dymbëdhjetë anëtarët e Komisionit, në bashkëpunim me stafin mbështetës dhe nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), kanë përparuar me procesin, duke shpallur në seanca publike, por edhe në dhomë këshillimi, 118 vendime për vitin 2022, duke arritur kështu edhe objektivat e vendosura për shqyrtimin e pjesës më të madhe të dosjeve.
Komisioni ka kryer rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me efikasitet, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke dhënë në total 604 vendime, që nga nisja e këtij procesi deri në 27 dhjetor 2022. Kjo arritje është realizuar pas shqyrtimit dhe analizimit të dosjeve voluminoze, shkëmbimit të informacioneve me institucionet ndihmëse, por edhe realizimit të hetimeve të thelluara nga Komisioni për subjektet e rivlerësimit, bazuar në kriteret e parashikuara në Aneksin e Kushtetutës dhe ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Deri në fund të procesit të rivlerësimit mbeten edhe 201 subjekte që do t’i nënshtrohen hetimit të Komisionit. Trupat gjykues janë të angazhuar të vijojnë procesin e rivlerësimit deri në përmbylljen e plotë të tij, brenda afateve të mandatit kushtetues”, thuhet në njoftim. KPK i përfundon në mandate në dhjetor 2024. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësohet si një proces me rëndësi kyçe edhe në kuadër të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku organet e vettingut japin kontribut direkt. Gjithashtu është parë edhe si një mënyrë mjaft e rëndësishme për forcimin e sistemit të drejtësisë.