108 parti politike janë gjobitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi nuk deklaruan ose deklaruan me parregullsi raportin vjetor të financave për 2022. Pas auditimit të bërë nga KQZ, 14 parti të vogla janë gjobitur me 100 mijë lekë ndërsa të tjerat me 60 mijë lekë gjobë. Mes partive të gjobitura me 60 mijë lekë janë edhe PS e PD, të cilat sipas gjetjeve të auditimit të KQZ nuk kanë bërë ndarjen e shpenzimeve të fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të 2022 nga shpenzimet vjetore të partisë. Ndëshkimit të KQZ i ka shpëtuar Partia e Lirisë, për të cilën audituesit nuk gjetën parregullsi në raportin e financave për 2022. Në raportin mbi gjetjet e auditimi i raporteve financiare të partive politike për PD, është konstatuar se:
-Në shpenzimet e paraqitura si shpenzime për fushatën zgjedhore, ka një diferencë prej 2.215.662 lekë, të cilat nuk janë përfshirë në shpenzime fushate por janë paraqitur si shpenzime normale të partisë, ndërkohë që përshkrimi në faturë cilësohet si shpenzim për fushatën zgjedhore;
– Në pasqyrat financiare partia nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime për degët e saj;
– Nisur nga fakti se viti 2022 ka pasur zgjedhje të pjesshme, në pasqyrat financiare nuk janë paraqitur të ardhurat dhe shpenzimet e kandidatëve
Për Partinë “Socialiste e Shqipërisë” audituesja ka konstatuar si më poshtë vijon:
– Partia nuk llogarit amortizim për ndërtesën që e ka me huapërdorje sipas vendimit nr. 196, datë 19.5.1992 të Këshillit të Ministrave. Vlera e ndërtesës me huapërdorje nuk është e rivlerësuar sipas kërkesave ligjore dhe paraqitet me vlerën e vitit 1993. Llogaritja e amortizimit bëhet sipas kërkesave të nenit 22, shkronja b të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, i ndryshuar.
– Partia nuk ka paraqitur të ndarë aktivitetin e saj vjetor të zakonshëm dhe aktivitetin për fushatën zgjedhore të datës 6.3.2022.
– Pagesat e kryera për shpërblimin e fund vitit si dhe pagesat për punë shtesë nga disa punonjës të saj, nuk janë përfshirë në listë pagesat e raportuara në organet fiskale. Për të gjitha këto pagesa, është llogaritur dhe është raportuar gabim tatimi në burim me tarifë 15% kur duheshin raportuar si të ardhura personale duke llogaritur tatim mbi pagën për secilin punonjës.
– Nuk janë kaluar nëpërmjet llogarive bankare pagesat ndaj disa punonjësve të jashtëm që kanë punuar për llogari të partisë, si dhe pagesat e shpërblimit të fund vitit.
Po ashtu, në seancën e sotme u plotësuan vakancat e krijuara në 5 këshilla bashkiakë. Konkretisht në Këshillin e Bashkisë Shkodër u miratuan kandidatët e PD-së, Fatmir Vojvoda dhe Anita Amuli; në Këshillin e Bashkisë Berat kandidatja e “Bashkë Fitojmë”, Klejda Kusta; në Këshillin e Bashkisë Krujë kandidatja e “Partisë së Gjelbër”, Meri Zalla; në Këshillin e Bashkisë Maliq kandidatja e PD-së, Marjeta Xhelollari; në Këshillin e Bashkisë Fier kandidatja e PDIU-së, Brunilda Çami.