OSHEE E DETYRUAR QË TË JAPË TË DHËNAT PËR AKSIONET EDHE POLICISË. Të gjithë kryetarët e njësive vendore të Qarkut të Shkodrës por edhe në të gjithë Shqipërinë nuk do t’i shpëtojnë masave të rrepta që prejn kohësh ka ndërmarrë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes.
Vetëm pak ditë më parë me një shkresë të posaçme zyrtare të gjitha drejtorive rajonale duke përfshirë edhe Shkodrën ka mbërritur një urdhër ku detyron zyrat e OSHEE-së që të nisin një kontroll të imtësishëm në banesat apo edhe bizneset e gjithçka tjetër që kryetarët e njësive të qeverisjes vendore posedojnë. Në këtë mënyrë pjesë e këtij kontrolli do të jenë edhe 33 kryetarët në nivel Qarku, Bashkish e Komunash të Shkodrës të cilët do të futen në sitën e OSHEE. Ky kontroll duhet të bëhet sa më shpejt dhe të gjitha të dhënat sa i përket drejtuesve të pushtetit vendor duhet të shkojnë në drejtorinë qëndrore të OSHEE. Më pas nëse ka nga ata kryetar të njësive të qeverisjes vendore që kanë borxhe e fatura të papaguara apo nuk kanë fare matës do të kenë vetëm pak ditë kohë për të shlyer çdo detyrim ose në të kundërt edhe ata mund të arrestohen ose mund të nisë procedim penal. Në këtë mënyrë OSHEE ka nisur kontrollin dhe shumë shpejt pritet të dalë edhe lista me kryetarët e Qarqeve, Bashkive dhe Komunave. Po ashtu një tjetër udhëzim i ri është bashkëpunimi që OSHEE duhet të ketë me policinë e shtetit. Nëse deri tani OSHEE ka thirrur në ndihmë policinë kur ka patur nevojë tashmë gjërat kanë ndryshuar. Ashtu si OSHEE edhe policia përpara se të nisin aksionet duhet të dijë komplet planin bashkë me të gjitha të dhënat e abonentëve ku mund të ketë kontrolle. Disa prej të dhënave kryesore për të cilat policia duhet të ketë dijeni janë data e planifikuar për aksione, datat e inspektimit, rajoni, qyteti, nënstacioni, në cilin fider apo kabinë bën pjesë, kontrata e abonentit bashkë me emrin e tij, borxhi që mund të ketë nga faturat e papaguara, lidhjet apo rilidhjet e paligjshme, kallezime penale apo denoncimet e refuzuara nga prokuroria e policia, denoncimet në polici e po ashtu arrestimet, të dhënat e aktmarrëvëshjes, arkëtimet apo rilidhjet nga vetë OSHEE. Të gjitha këto të dhëna policia duhe t’i dijë ashtu si operatori i sistemit të shpërndarjes, kjo me qëllimin për të patur një bashkveprim më të mirë dhe efikasitet në plan-veprimin kombëtar për energjinë elektrike.