Kreshnik Krepi përfundimisht nuk do të jetë trajner i Adës së Velipojës për pjesën e mbetur të sezonit.

Edhe pse ekipi velipojak ndodhet në vështirësi Krepi për shkak të impenjimeve të tija personale e ka të pamundur që të marrë drejtimin e Adës aktualisht. Trajneri shkodran pranon se ka qenë shumë afër dhe në bisedime me presidentin Alfred Pjetri por në fund ka vendosur që mos ta pranojë ofertën për arsyet objektive që ka. Përmes një prononcimi telefonik Krepi ka treguar edhe arsyet ndërkohë që bën të ditur se tek Ada duhet të jenë ata që e kanë ndërtuar këtë ekip për këtë sezon duke lënë të nënkuptohet për përgjegjësitë që duhet të kenë. Një faktor për Krepin është edhe se Ada e këtij viti nuk është ndërtuar sipas ideve të tij, një arsye më shumë që e ka bërë që ta refuzojë ofertën pavarësisht miqësisë që ka me presidentin Pjetri. “Unë nuk do ta marr drejtimin e Adës. Falenderoj shumë drejtuesit për ofertën por aktualisht nuk e shoh të arsyeshme impenjimin tim tek kjo skuadër për të cilën gëzoj shumë respekt. Kam impenjime të tjera të cilat nuk më lënë kohën e duhur për të ndryshuar diçka për mirë tek kjo skuadër e cila këtë sezon nuk është ndërtuar me idetë e mia. Ato që kanë qenë pjesë e ndërtimit të këtij ekipi këtë sezon ato duhet ta përfundojnë sezonin. Ada ka dhënë prova se di t’i kalojë vështirësitë dhe se është ndër ekipet bazë në Kategorinë e Parë. I uroj suksese presidentit dhe futbollistëve dhe kam besimin se do t’i kapërcejnë vështirësitë që kanë”-ka deklaruar Krepi për “Star Plus”. Trajneri shkodran para pak kohësh u largua nga Besëlidhja e Lezhës pas ndërhyrjeve të presidentit të asaj skuadre në formacion dhe tashmë është një trajner i lirë. Duke qenë i tillë Krepi u mendua se mund të rikthehet tek Ada, skuadër të cilën e ka drejtuar edhe më përpara por nuk pranoi. Velipojakët janë në pozita të vështira duke qenë se mbajnë vendin e parafundit në renditje dhe të rrezikuar për rënien në Kategorinë e Dytë.

Artikulli paraprakDEPARTAMENTI I ARTEVE, KONKURS PËR PRANIMIN E STUDENTËVE
Artikulli tjetërSTADIUMI “LORO BORIÇI”, MUNGOJNË 3 MLN EURO PËR PUNIMET