Disa prej partive shqiptare në Maqedoni nuk janë dakord me nismën e Shengenit Ballkanik. Mes atyre që e kundërshtojnë është edhe kreu i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela. Ai e cilësoi si një skandal që i ka bërë shqiptarët që të flasin me vete.

‘Skandal për faktorin politik shqiptar, pa marrë parasysh se ku jeton. Unë nuk them se duhet të bashkohemi fizikisht faktorët politikë kudo që janë, por me qëndrime dhe në platformë dhe në ide të jemi të bashkuar. Ndjehem i zhgënjyer besoj si çdo shqiptarë që jeton në këtë botë, nuk po e ndaj në këto tre vende, pesë vende apo në të gjithë botën, sepse deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë kanë bërë që shqiptarët të flasin me vetën dhe të ndjehen të irrituar, me të drejtë.

Ne si Aleanca për Shqiptarët çdo nismë rajonale, duke pasur parasysh që Kosova vazhdon që të mos pranohet si shtet i pavarur dhe përballet me një luftë të egër diplomatike, me tërheqje të njohjeve të pavarësisë që ka arritur deri tani, duke pasur parasysh që akoma nuk është anëtare fuqiplotë në Kombet e Bashkuara, mendoj që çdo nismë rajonale që do të nis të shkojë përmes Prishtinës sot, dhe as përmes Tiranës, as përmes Shkupit dhe as përmes çfarëdo kryeqyteti në rajon.

Sapo kemi dalë nga një proces ngërçi, bëmë ndryshimet kushtetuese, u arrit marrëveshja me Greqinë, në lidhje me emrin, kemi pasur edhe plot probleme të tjera për t’i shtruar në tavolinë, dhe ne si Aleancë për shqiptarët edhe i shtruam, por ideja që çdo herë përflitej dhe flitej ishte largimi i influencës ruse nga Ballkani sa më shpejtë të jetë e mundur, dhe në drejtim të kësaj, faktori politik shqiptar bëri kompromis edhe me vetën e tyre dhe la shumë nga vetja e tyre në mënyrë që të arrihet ky qëllim.

Mendoj që politikanët kosovarë të dalë si rezultat i zgjedhjeve të fundit parlamentare atje, më të rëndësishme se çdo gjë e kanë të ndërtojnë institucionet e shtetit të dala nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të tetorit dhe jo teket e tyre personale për të marrë ndonjë pozicion më të mirë ministri ose presidenti.

Albin Kurti sa më shpejtë duhet të bëhet kryeministër i Kosovës në mënyrë që Kosova t’u përgjigjet këtyre nismave institucionalisht nga kryeministra dhe ministra të cilët janë rezultat i vullnetit të shprehur me votë ditën e zgjedhjeve’ tha Sela.

Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi së fundmi iu bashkua nismës për Shengenin Ballkanik, ndërsa Kosova me Bosnjën nuk pranuar që të ulen në tryezë. Refuzimi i Kosovës solli edhe replika në distancë mes kryeministrit të Shqipërisë dhe të Kosovës, por Rama deklaroi se herët apo vonë Prishtina do të ulet në tryezë.

Artikulli paraprakJAVA NIS ME MOT TË ACARTË, TEMPERATURA NËN ZERO DHE RESHJE DËBORE NË KUKËS
Artikulli tjetërISHTE 1 JANARI 2020, SHTYHET SËRISH AFATI I DALJES NË TREGUN E LIRË TË ENERGJISË PËR BIZNESET E LIDHUR NË 35 KV