Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço deklaroi ditën e sotme se biznesi në Shqipëri ishte goditur nga ‘stuhi të rënda’ duke nisur nga periudha e post-pandemisë tek një prej inflacioneve më të larta në 15 vitet e fundit.
“Biznesi u godit nga stuhi të rënda. Nga post-pandemia te energjia dhe një nga inflacionet më të larta në 15 vite. E kombinuar me ekonomi të brishtë lokale, emigrim jashtëzakonisht i madh dhe ulje e konsumit të forcës punëtore. Kur dhomat e tjera janë ulur në numër, ne kemi numrin më të lartë të anëtarëve. Kjo na bën më të fortë perballë sfidave”-tha Jaço.
Teksa foli gjatë mbledhjes së përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Jaço zbuloi se në javët në vijim do të publikohej indeksi i biznesit në vend, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit public dhe privat në kuadër të anëtarësimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Për disa të tjerë progresi ka qenë i papërfillshëm. Në javët dhe në muajt në vijim do të publikojmë edhe indeksin e biznesit. Shqipëria ka hyrë në një moment delikat në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në që varet drejtpërdrejt nga realizimi i reformave. Institucionet përgjegjëse janë ato të administrates publike por reforma është e pamundur të ketë sukses pa përfshirjen e biznesit privat dhe shoqërise civile. Duhet të ketë bashkëpunim mes administrates publike dhe sektorit privat. Përfitimi është shumë i qartë, hyrja sa më shpejt në Bashkimin Europian”- tha Jaço. Në mbledhjen e sotme të Dhomës Amerikane të Tregtisë, pritet që pas ceremonisë hapëse të votohet për zgjedhjen e zëvendës presidentit, anëtarit të Bordit dhe ndryshime në statutin e institucionit.