Drejtoria e Përgjithshme e Doganave iu është bashkuar urimeve në këtë vigjilje Krishtlindjesh. Përmes një analize për 12 muaj punë në këtë institucion, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli theksoi se mbyllet pas një vit jo i lehtë siç është pandemia e koronavirusit. Në mesazhin e tij ai thekson se qëllim i Doganave është që në mes të vitit 2022 të ofrohen shërbimet online.
“Të dashur kolegë, më lejoni që në fund të këtij viti të hedhim së bashku një vështrim prapa në 12 muajt e fundit për të kujtuar se çfarë kemi arritur dhe ku duam të shkojmë në të ardhmen. Përmbyllim një vit jo të lehtë, gjatë të cilit, jo vetëm Ne si administratë doganore, por të gjitha strukturat shtetërore vazhduan të përballen me vështirësitë e krijuara nga pandemia e Covid 19.
Megjithëkëtë ne arritëm t’i përmbushim detyrat tona në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, ku roli i Administratës Doganore ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm në realizimin e të ardhurave si asnjëherë tjetër në Buxhetin e Shtetit, por dhe në krijimin e një klime mjaft lehtësuese për sipërmarrjen. Më konkretisht si pjesë e revolucionit Digjital qytetarët dhe bizneset përfituan online nëpërmjet portalit e-Albania 34 nga 41 shërbime. Gjatë vitit 2021 kemi dhënë mbi 5000 autorizime online, duke shkurtuar kohë dhe burokracitë administrative për biznesin. Ndërkohë po punojmë intensivisht që deri në mesin e 2022 të ofrohen online të gjitha shërbimet.
Roli ynë ka qënë i madh në diskutimet teknike në fushën e bashkëpunimit me Kosovën dhe homologët në rajon. Dogana është pjesë e rëndësishme e nismës së Qeverisë Shqiptare në kuadër të Open Ballkan për lehtësimin e procedurave dhe arritjen e marrëveshjeve për njohjen reciproke të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar. Gjatë 2021 kemi autorizuar 8 Operatorë Ekonomikë, si dhe janë në proces 8 aplikime të reja. Institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare si BB, FMN apo Komisioni Europian, e kanë vlerësuar Administratën Doganore, duke e përfshirë në projektet e tyre mjaft ambicioze.
Teksa krenohemi me këto arritje, të cilat nuk do të ishin të mundura pa kontributin dhe përkushtimin maksimal të secilit prej jush të nderuar kolegë, të mos harrojmë se sfida të reja na presin në 2022. Së bashku si skuadër do të angazhohemi që Dogana Shqiptare të jetë pjesë integrale e nismës “Shqipëria pa sportele 2022”, të rrisim ndërveprimin me platformën e-Albania, në E-commerce dhe pse jo te blerjet online, që me kushtet e reja që na diktoi pandemia janë rritur ndjeshëm. Falënderoj secilin prej jush për punën e palodhur dhe profesionalizmin që tregoni si punonjës të Administratës Doganore. Gëzuar Festat e fundvitit! Mbarësi, shëndet e prosperitet për ju dhe familjet tuaja!”, tha Gazheli.