Ditën e sotme në orën 13:00 do të mblidhet komisioni hetimor për presidentin Ilir Meta, ku do të thirret për të dëshmuar kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani. Ky i fundit është shprehur se do të paraqitet të premten në komision për t’i dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve.
“U njoha me ftesën e parlamentit. Do të jem i pranishëm për t’iu përgjigjur interesit të publikut dhe të gjitha pyetjeve të deputetëve”,është shprehur Dvorani.
Pak muaj më parë pati një debat të fortë për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese mes Presidentit dhe opozitës nga njëra anë dhe KED-së me shumicën nga krahu tjetër. Çështja përfundoi në SPAK, pas kallëzimit të Presidentit për kreun e KED-së, Ardian Dvorani.
Ndërkohë që Komisioni Hetimor për presidentin, i ngritur për të hetuar anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 Qershorit zgjeroi objektin e hetimit duke përfshirë edhe çështjet e debatit për emërimin e anëtarëve të Kushtetueses.