Kreu i OSBE-ODHIR: Po bëhet presion mbi administratën
Marrëveshja politike Rama Basha ka vënë në vështirësi punën e komisionit qendror të zgjedhjeve. Shkak janë ligjet kontradiktore mes tyre për të njëjtën çështje, të cilave KQZ duhet t’i referohet për të marrë vendim. Konstatimi vjen nga shefi i misionit të ODIHR, ai që do të vejë notën për zgjedhjet e 25 qershorit, Peter Tejler. Në një intervistë për Report tv, Tejler thotë se si pasojë e kësaj marrëveshje një sërë institucionesh e kryesisht KQZ janë përballur me sfida. Por ai shmang një përgjigje të prerë per sa i përket ndarjes së numëruesve mes LSI e PDIU. “Më lejoni të them që si rezultat i marrëveshjes politike, KQZ është përballur me një sërë sfidash. Ka disa kontradikta në ligjet në fuqi. Në lidhje me pyetjen tuaj, dimë që ka ankesa nga partitë politike. Ne po e ndjekim këtë proces dhe ne do të vlerësojmë mbarëvajtjen e tij. Procesi është në vazhdim dhe do ta ndjekim nga afër” tha ai. Shefi i ODIHR: Kemi informata për presione në administratë. Tejler pohon gjithashtu se ka informacione se nga partitë po ushtrohet presion mbi administratën. Por vërtetësinë e tyre do ta verifikojnë. “Siç e dini edhe ju, ne kemi një numër të caktuar vëzhgues afatgjatë të angazhuar në vend. Ne po e ndjekim situatën edhe prej këndej. Kemi informata për presione të ndryshme. Dimë që ka institucione që po i ndjekin me kujdes këto pretendime qofshin të drejta apo të gabuara. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një panoramë të plotë përpara se të bëjmë një vlerësim. Ky është proces i vazhdueshëm. Ka institucione shtetërore që po merren me këtë çështje. Gjithashtu ka mënyra të tjera për njerëzit që duan të adresojnë këtë çështje apo të dorëzojnë ankesat e tyre. Ne po i ndjekim këto nga afër”. Kush po e bën këtë presion? “Kush po bën presion. Ne jemi në fushatë, ndaj të folurit për këtë presion, nuk është në mandatin tonë. Ne duam të kuptojmë dhe të krijojmë një panoramë të plotë mbi çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është e vërtetë dhe sigurisht se si sistemi trajton këto pretendime, informacione dhe ankesa. Në ditën pas zgjedhjeve ne do të publikojmë një deklaratë për gjetjet paraprake së bashku me delegacionin parlamentar, dhe këtë çështje mund ta trajtojmë atëherë. Është e rëndësishme të kuptohet se ne po ndjekim procesin dhe kjo është arsyeja përse ne ndodhemi në vend për një periudhë të gjatë. Ky proces po ndodh tani dhe ne po e ndjekim si dhe shqyrtimin e ankesave”. Tejler: ODIHR po monitoron çështjen e udhëtimeve falas për votuesit I kujdesshëm me fjalët, në mënyrë që asgjë nga ato që thotë të mos keqkuptohet si përkrahje ndaj ndonjë subjekti të caktuar politik, Tejler sqaron se ODIHR po monitoron dhe çështjen e ofrimit të udhëtimeve falas për emigrantët në këmbim të votave. “Ne kemi vënë re, nëpërmjet vëzhguesve afatgjatë që po bëhen oferta të tilla mbi transportin. Nuk I dimë rrethanat e plota. Ne po e ndjekim këtë situatë. Ka pretendime në media për këto oferta. Ne po e ndjekim me kujdes çështjen e ofertave për të krijuar një panoramë të plotë të asaj që po ndodh”. Misioni i OSBE do të sjellë në Shqipëri 300 vëzhgues afatshkurtër, 13 ekspertë dhe 26 vëzhgues afatgjatë të cilët do të publikojnë 3 raporte në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.