Qeveria ka miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure ngritjen e Komitetit Shtetëror për Diasporën, ku do të jetë e angazhuar thuajse e gjithë qeveria.

 

Sipas vendimit të qeverisë, në përbërje të këtij komiteti do jetë Kryeministri si dhe tetë ministra. Komiteti do kryesohet nga Kryeministri, ndërsa anëtarët e tjerë do jenë ministrii për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministri i Brendshëm, ministri i Financave dhe Ekonomisë, ministri i Drejtësisë, Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ministri i Kulturës, ministri i Mjedisit dhe Turizmit si dhe ministri i Shtetit për Diasporën. Në përbërje të Komitetit do jenë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kryetari i Akademisë së Shkencave si dhe Drejtori i INSTAT-it. Komiteti Shtetëror për Diasporën do shërbejë si organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave e të veprimtarive shtetërore në fushën e diasporës.

V E N D I M PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMITETIT SHTETËROR PËR DIASPORËN Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Ngritjen e Komitetit Shtetëror për Diasporën, këtu e në vijim Komiteti, si organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave e të veprimtarive shtetërore në fushën e diasporës. 2. Komiteti kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje të tij këta anëtarë: a) Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme; b) Ministrin e Brendshëm; c) Ministrin e Financave dhe Ekonomisë; ç) Ministrin e Drejtësisë; d) Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; dh) Ministrin e Kulturës; e) Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit; ë) Ministrin e Shtetit për Diasporën; f)Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë; g) Kryetarin e Akademisë së Shkencave; gj) Drejtorin e INSTAT-it. 3. Fusha e veprimtarisë së Komitetit përfshin: a) përgatitjen e linjave orientuese për hartimin e politikave të reja aktive dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike në fushën e diasporës; b) propozimin e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për çështje që lidhen me përmirësimin e pozitës së anëtarëve të diasporës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në vendet ku jetojnë; c) nxitjen dhe zhvillimin e dialogut për zbatimin e strategjisë, politikave dhe legjislacionit në fushën e zhvillimit të komuniteteve të diasporës; ç) koordinimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën; d) mbështetjen dhe monitorimin e veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare për Diasporën.

4. Komiteti mblidhet jo më pak se një herë në tre muaj dhe sa herë është e nevojshme, me kërkesë të Kryeministrit. 5. Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare, të organeve të qeverisjes qendrore e vendore apo të institucioneve të tjera, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e misionit. 6. Veprimtaria e Komitetit mbështetet nga sekretariati teknik. Përbërja dhe detyrat e sekretariatit teknik përcaktohen me urdhër të Kryeministrit. 7. Urdhri nr.115, datë 11.5.2006, i Kryeministrit, “Për ngritjen dhe funksionimin e Komitetit Ndërministror të Migracionit”, shfuqizohet. 8. Ngarkohen anëtarët e Komitetit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Artikulli paraprakKONCESIONI I RI, 100 MILIONË EURO PËR LABORATORËT; INVESTIMI 9.9 MLN
Artikulli tjetërTRI MONEDHA TË REJA NË TREG PËR PËRVJETORIN E VDEKJES SË SKËNDERBEUT