Shkencëtarët kanë krijuar një implant retinal që mund të rikthejë shikimin tek minjtë dhe planifikojnë të nisin eksperimentet tek njerëzit më vonë gjatë këtij viti.

Lajmi bëhet i ditur nga revista “Science alert”, e cila thotë se implanti, i cili kthen dritën në sinjal elektrik që stimulon neuronet retinale, mund t’u japë shpresë miliona njerëzve që kanë përjetuar përkeqësim të retinës – përfshirë pigmentimin e retinës- në të cilin qelizat fotoreceptore në sy fillojnë të prishen duke i hapur rrugë verbërisë. Retina ndodhet në pjesën e pasme të syrit dhe përbëhet nga dy milionë prej këtyre fotoreceptorëve të ndjeshëm ndaj dritës. Por mutacioni në një prej këtyre 240 gjeneve të identifikuara mund të çojë në përkeqësimin e retinës dhe vdekjen e fotoreceptorëve. Tani, një skuadër e udhëhequr nga Instituti italian i teknologjisë ka zhvilluar një qasje të re, duke implantuar një protezë në sy që shërben si zëvendësuese e punës që bën një retinë e dëmtuar. Implanti përbëhet nga një shtresë e hollë polimeri të përçueshëm, i vendosur në një substrakt me bazë mëndafshin dhe i mbështjellë me polimer gjysmëpërcjellës. Shkencëtarët i vendosën këto implante tek minjtë dhe pasi ato u shëruan nga plagët e operacionit 30 ditë më vonë, ata i testuan se sa të ndjeshëm ishin ndaj dritës krahasuar me minjtë e shëndetshëm dhe ato që nuk ishin bërë pjesë e trajtimit. Shkencëtarët arritën në përfundimin se minjtë e trajtuar ishin shumë më të ndjeshëm ndaj dritës krahasuar me minjtë që vuanin nga e njëjta sëmundje por që nuk ishin trajtuar. Teksa nuk ka asnjë garanci se implanti do të ketë rezultat të njëjtë edhe njerëzit, skuadra e shkencëtarëve shpreson se do të ketë. Okulistja italiane Grazia Pertile thotë se “ne planifikojmë të kryejmë eksperimentet e para tek njerëzit në gjysmën e dytë të këtij viti dhe do të marrim rezultatet paraprake gjatë vitit 2018.”

Artikulli paraprakDEPUTETËT INKURAJOJNË QEVERINË TË SHPEJTOJË ME PROJEKTLIGJIN PËR FSK-në
Artikulli tjetërARRESTOHEN 43 AKTIVISTË QË BLLOKUAN TREGTINË ME PJESËN LINDORE