Një krim i rëndë në familje dhe i dyfishtë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Konispol të Sarandës. Burri, pas një grindjeje të çastit, ka vrarë më sëpatë bashkëshorten e tij në banesë.
Por pak çaste më pas, gjatë konfliktimit edhe me të birin 40-vjeçar, njoftohet se ky i fundit e shtyu nga shkallët, teksa edhe i moshuari gjeti vdekjen minuta më pas nga lëndimet e marra.
Ngjarja e rëndë sipas njoftimit paraprak të policisë vendore, ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm (6 Gusht), në fshatin Shalës. Gjithashtu u bë edhe prangosja e autorit të dyshuar, djalit të viktimave, teksa po verifikohen motivet e krimit të rëndë.
“Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe. Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje”, njoftoi policia zyrtarisht.
Hetimeve iu bashkangjit edhe Prokuroria vendore, teksa mbeten ende aktive dhe në proces verifikimi dhe marrje dëshmish e provash. Mësohet se çifti i të moshuarve që mbeti viktimë e krimit në familje, kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
I dyshuari pas arrestimit po merret në pyetje dhe prokuroria do klasifikojë më tej edhe veprën penale, nëse do e ngrejë akuzën për vrasje me dashje apo në rrethana aksidentale.