Prindërit e të riut të vrarë Marvi Mihali janë përplasur sot verbalisht me babanë e autorit të dyshuar Devis Bitraj. Ngjarja ka ndodhur në përfundim të seancës së sotme gjyqësore.
Është dashur ndërhyrja e Policisë për të qetësuar situatën.
Marvi Mihali, studenti 22 vjeçar u vra më datë 31 korrik 2017. Ai ishte djali i ish-sportistit të njohur Pavllo Mihali dhe mësueses së anglishtes, Mira Mihali, të cilët po përjetojnë dramën më të madhe.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë për një plan mirë të organizuar nga grupi kriminal i të rinjve. Dejvi Bitraj, Eugen Bitraj, Marsel Alla, Kridens Alla dhe shumë tjetër kishin rrethuar zonën, për ti bërë pritë bashkëmoshatarëve të tyre, Armend Haxhiut, Xhoslin Shatës, Marvi Mihalit.
Një nga organizatorët e krimit i bën me shenjë grupit të sulmit, se po vjen Armendi, Marvi dhe Xhoslini. Në atë moment, del në skenë Dejvi Bitraj, i cili shkëmben fjalë me Armendin, por ky i fundit, nuk duron dhe e godet me grusht. Në atë moment, grupi i agresorëve, rrethojnë Marvin, Armendin dhe Xhoslinin.
Edhe pse strumbullari i sherrit ishte Armend Haxhiu, autorët e krimit iu vërsulën brutalisht 22-vjeçarit Marvi Mihalin. Sipas videos, shihet qartë që Marvi as nuk ka sulmuar njeri, as nuk ka goditur njeri, por është qëlluar në mënyrë kriminale nga bashkëmoshatarët e tij.
E gjithë skena e krimit, ndodhi vetëm 40-50 sekonda, dhe autorët largohen qetësisht nga vendngjarja. Marvi Mihali u vra në mes të Tiranës, në një lokal në zonën e Tiranes se Re per sherrin banal për një karikues telefoni.