Shoferët e autobuseve dhe trenave, të zemëruar me pritjet e gjata në kufirin e Kroacisë me Serbinë, mbremjen e se martes kanë bllokuar trafikun në autostradën më të madhe ndërmjet dy vendeve.

 

Situata më kritike është në Opatovac, një fshat i vogël në Kroaci në kufi me Serbinë, ku qindra dhe mijëra klandestinë kanë mbërrirur dhe janë grumbulluar aty që pas mbylljes së kufijve nga ana e Hungarisë, si me Serbinë ashtu edhe me Kroacinë. Vetem gjatë javës së kaluar në Kroaci kanë hyrë 35.000 refugjatë dhe sipas autoriteteve fluski sa vjen dhe rritet, duke vënë në vështirësi qeverinë vendase për menaxhimin e tyre. Gjithsesi, në këtë zonë është ngritur një pikë regjistrimi, procedurë e cila ka shkaktuar kaos, pasi klandestinët kërkojnë të përfundojnë këtë detyrim sa më shpejt dhe më pas të gjejnë shtigjet drejt gjermanisë apo edhe vendeve skandinave.

Ndërsa policia po përpiqet të mbajë në kontroll turmën, njerëzit janë të lodhur dhe të nervozuar nga lodhja e udhëtimit. Kjo bllokadë u bë në periudhën kur të dy vendet janë të ballafaquara me fluksin e madh të imigrantëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, që udhëtojnë për në shtetet perëndimore të Evropës.

LIGJI I RI NË HUNGARI, USHTRIA MUND TË PERDORË DHUNËN

Hungaria ka miratuar një ligj të ri, i cili lejon ushtrinë të qëllojë emigrantët me plumba gome dhe granata lotsjellëse, të ashtuquajturat armë jo vdekjeprurëse për vetëmbrojtje.

Ministri i mbrojtjes në Hungari, Istvan Simicsko tha se ligji i ri përmbush të gjitha dispozitat kushtetuese. Partitë opozitare kritikuan ligjin e ri në debatin e zhvilluar në parlament para votimit.

Komiteti i Helsinkut, një grup për të drejtat e njeriut në Budapest tha se, ligji ishte një akt i panevojshëm që do të nxiste edhe më tej tensionet. “Ndërtimi i gardhit, mobilizimi i mijëra oficerëve e ushtarëve përgjatë kufirit, dhe ligjet që po miratohen në parlament, çojnë në konkluzionin se nuk kemi një zgjidhje tjetër përveçse përdorimit të forcës së ushtrisë, se nuk ka një mënyrë tjetër për t’u përballur me emigrantët. Mendoj se kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe false.” – tha përfaqësuesja e komitetit, Marta Pardavi.

Amnesty International tha se Hungaria po shkel të drejtat e refugjatëve, duke i mohuar të drejtën për të ndjekur një procedurë të rregullt për azil. Grupi i kërkoi gjithashtu autoriteteve të heqin dorë nga ligje të cilat, siç thotë, synojnë të shpëtojnë vendin nga përgjegjësitë kundrejt personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Artikulli paraprakEMIGRANTËT, BASHKIMI EUROPIAN SHPËRNDAN VENDET
Artikulli tjetërVLLAZNIA, TIFOZËT PROTESTË TË HËNËN PARA BASHKISË SHKODËR