Kriza e emigrantëve mbërrin në zemër të Parisit
Kriza e refugjatëve mbërrin në zemër të Parisit. Një artist i famshëm francez vari në argjinaturën e lumit Sene një poster gjigant që tregonte mbytjen e një anije të mbushur plot me emigrantë. I bazuar në një fotografi reale të realizuar në ujërat e Mesdheut nga rojet bregdetare italiane, punimi i Pierre Delavie tregon emigrantët teksa përpiqen t’i shpëtojnë mbytjes me një iluzion optik që sugjeron se tragjedia po ndodh tek vetë Sena. “Ngjarja ka ndodhur në Mesdhe, por sot po ndodh këtu, në shtëpinë tonë. Unë shtova atje edhe disa imazhe personash nga Parisi për të treguar se edhe emigrantët janë njerëzit tanë”, tha Pierre Delavie. Artisti bashkëpunoi me organizatën “zyra për mirëpritjen dhe asistencën për emigrantët për të instaluar posterin. Organizata lobon tek qeveritë europiane për të lejuar hyrjen e emigrantëve në kontinent, duke kundërshtuar marrëveshje të tilla si ajo mes BE dhe Turqisë, që synon reduktimin e fluksit drejt Europës. Kryebashkiakia e Parisit, Anne Hidalgo përuroi një qendër të shumëmediatizuar për strehimin e refugjatëve në veri të kryqytetit, me një të dytë që pritet të hapet javën e ardhshme. Sipas të dhënave të organizatës ndërkombëtare për emigracionin 7495 refugjatë humbën jetën në të gjithë botën vitin e kaluar, 1/3 më shumë se sa në 2015.