Shqipëria do të mbetet në një trajektore relativisht të ulët të rritjes ekonomike në vitet e ardhshme, në mes të ndrydhjes së eksporteve dhe përpjekjeve të qeverisë për konsolidimin fiskal, theksohet në një studim për risqet e ekonomisë të publikuar nga “BMI Research”, pjesë e “Fitch Group”.

Rreziku kryesor që parashikon studimi është kriza e emigrantëve sirianë, me të cilët përballet Europa, e cila mund të prekë Shqipërinë në muajt e ardhshëm. Studimi parashikon se emigrantët (kryesisht nga Siria) ka të ngjarë të kalojnë nëpër Shqipëri në rrugën e tyre për në Europën Perëndimore. “Rruga shqiptare” mund të bëhet alternativë kryesore, pasi vende të tilla si Hungaria, Kroacia dhe Sllovenia kanë ndërtuar gardhe me gjemba në kufirin e tyre për të ndaluar hyrjen e emigrantëve. Sipas studimit, më shumë përpjekje duhen bërë për të zbatuar reformat strukturore që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e tregut të punës, me qëllim që Shqipëria të ketë shpresa për t’u afruar me vendet finje të rajonit, historikisht më të zhvilluara. Lidhur me bilancin import-eksport, studimi parashikon një thellim të fortë të deficitit në vitet e ardhshme. Pasiguria në Greqinë fqinje, pas krizës së borxhit të vendit, do të rritet duke shkaktuar paqëndrueshmëri rajonale. Kjo situatë, gjithashtu do të ndikojë në kërkesën për eksportet shqiptare në Greqi dhe në remitancat e emigrantëve shqiptarë. Studimi bën edhe një parashikim për rritjen ekonomike për 2016-n, që për Shqipërinë do të jetë 3.1%, një shifër poshtë objektivit të qeverisë.

Artikulli paraprak“HARRESA” E QËLLIMSHME PËR BYPASSIN E SHKODRËS
Artikulli tjetërZEKA: FEMIJËT NË GJAKMARRJE DUAN TË SHIJOJNË FËMIJËRINË E TYRE