Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen ka njoftuar sot një ndihmë të drejtpërdrejt buxhetore për Ballkanin Perëndimor nga BE për krizën energjetike. Von Der Leyen deklaroi se ne po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor. “Fatmirësisht Shqipëria nuk ka fare varësi nga gazi rus, kjo për shkak të varësisë suaj nga sistemi hidrik. Por ndikimi vjen dhe në Shqipëri. Ne në BE kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është nëpërmjet unitetit dhe solidaritetit. Mbështetje të drejtpërdrejt buxhetore për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve. Do të jenë 80 mln euro në grante. Ju keni një sistem për të ndihmuar familjet, por edhe bizneset e vogla. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por që do të vijë pas janarit, për energjinë, 500 mln euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike”, deklaroi Von Der Leyen. Ajo theksoi më tej se do të kanalizohet nëpërmjet planeve ekonomike dhe të investimeve.

“Për ne e rëndësishme dhe energjia e rinovueshme. Investimi do të jetë në impiantin lundrues diellor në Vaun e Dejës”, tha Presidentja e KE. Më tej ajo foli për punën e bërë nga Shqipëria në procesin e integrimit europian dhe qëndrimin për luftën në Ukrainë.

“Është vërtetë kënaqësi që të kthehem në Tiranë. Ky është suksesi juaj, rezultati i shumë viteve me përpjekje, punë të madhe që ka bërë Shqipëria dhe shqiptarët. Ju keni ruajtur një vëmendjen shumë të fortë te procesi i integrimit dhe sigurisht kjo ka sjellë negociatat. Është shembullore që të shohim që Shqipëria ka mbrojtur rendin ndërkombëtar bazuar në rregullat e KS të OKB. Kjo ju nderon, tregon se jemi një komunitet me të njëjtat vlera të cilat i ndamë. Shqipëria po tregon se po ecën e vendosur në procesin e BE. Raporti i zgjerimit ka treguar përparimin që po bën Shqipëria. Po forconi sistemin e së drejtës. Ju keni miratuar dhe masa të reja për të garantuar barazinë dhe gjithëpërfshirjen. Ekonomia juaj është bërë e fortë pas COVID-it. këto janë arritje në një kohë plot sfida. Kam parasysh agresionin rus dhe luftën në Ukrainë. Rusia po shkel rendin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare dhe çdo kartë të BE-së. Rusia po përdor energjinë si armë “, tha Von Der Leyen. Presidentja e KE deklaroi se samiti i 6 dhjetorit është i një rëndësie të madhe,

“Kryeministër, i dashur Edi unë mendoj që Shqipëria mund të ndihet krenare për arritjet e saj. Nga fjalët dhe veprat qytetarët e Shqipërisë kanë treguar jo vetëm largpamësi, por edhe rezistencë. Më 6 dhjetor do të takohemi sërish në samit dhe do jetë një takim shumë i rëndësishëm”, tha ajo. Ndërkohë kryeministri Rama tha se 80 mln euro, janë 1/6 e shumës së nevojshme që qeveria shqiptare të vazhdojë të mbrojë çmimin e familjeve dhe të konsumatorëve.

“Ndërkohë për t’iu përgjigjur pyetjes, sa pjesë e të tërë nevojës janë që ne të vazhdojmë të mbrojmë çmimin e familjeve dhe të konsumatorëve, janë 1/6. Nëse i referohemi këtij viti ne na është dashur në total deri në fund të vitit 460 mln euro. Një shumë e kombinuar midis buxhetit të shtetit dhe operatorit të prodhimit të energjisë. Sigurisht që është një shumë marramendëse për tërësinë e buxhetit tonë, por është një shumë që ka ndihmuar edhe për inflacionin. Pavarësisht se në ekranet tuaja dhe në faqet e informimit kjo gjë thuajse nuk duket gjëkundi, përkundrazi e pavërteta zë vend, Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon. Arsyeja kryesore e këtij inflacioni më i ulëti në rajon është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Në rast se ne do të kishim relativizuar këtë mburojë, pra qoftë edhe pak të kishim prekur çmimin e energjisë, do kishte reflektuar menjëherë te të gjitha çmimet e familjeve. Por faktikisht asnjë pikë shitjeje në Shqipëri nuk ka një çmim të energjisë elektrike të ndryshuar energjie, paguan të njëjtin çmim si para krizës së çmimit të energjisë”, tha Rama.

Artikulli paraprakSAMITI BE-BALLKANI PERËNDIMOR/ VON DER LEYEN: BESOJ NË MIKPRITJEN SHQIPTARE, RAMA: SHQIPËRIA KA VETËM NJË RREZIK
Artikulli tjetërKËSHILLI I EUROPËS: ZGJEDHJET E 6 MARSIT, TË VETMET NË 30 VITE QË S’JANË KONTESTUAR NGA ASNJËRA PALË!