TË HËNËN E ARDHSHME PALËT SËRISH NË BISEDIME, SHPRESË PËR ZGJIDHJE. Ministrat e financave të Bashkimit Europian nuk arritën të gjejnë fjalën e përbashkët me Greqinë
për zgjidhjen e krizës dhe shtyrjen e programit të shpëtimit, pas 7 orësh bisedime që u mbyllën në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Palët pritet të takohen sërish të hënën e ardhshme. “Kemi diskutuar mundësinë e një shtyrje të afatave, që për disa ishte zgjidhja e preferuar, por nuk kemi dalë ende në këtë përfundim. Institucionet e kanë bërë të qartë se janë gati të punojnë me autoritetet greke, por duhet marrëveshja politike në mënyrë që ata të fillojnë punë”, tha lideri i Eurogrupit, Jerun Dajselblum. Ministri grek i Financave, Janis Varufakis, kundërshtari më i ashpër i masave shtrënguese, tha që besonte se të hënën mund të arrihej një marrëveshje. “Shkëmbyem shumë mendime të ndryshme dhe interesante. Patëm mundësi të njiheshim me to dhe tani shpresojmë që deri në fund të takimit të së hënës, të arrijmë në nëj përfundim prej të cilit do të përfitojë Greqia dhe partnerët tanë europianë”, u shpreh Varufakis. Diplomatët e Bashkimit Europian thanë se kishin hartuar një deklaratë të përbashkët për gjetjen e një mënyrë se si Greqia dhe eurozona duhet të vazhdonin marrëdhënien e tyre, por delegacioni grek, pasi u konsultua me Athinën në telefon, nuk pranoi ta firmoste. Qeveria e re e radikalëve të majtë këmbëngul se nuk do të shtyjë programin e shpëtimit që përfundon pas dy javësh, ndërsa partnerët europianë theksojnë se duhet të pranojë disa kushte në mënyrë që të marrë financime, pa të cilat rrezikon të dalë nga eurozona.