Kalbja në sera e prodhimeve të dyta të sezonit 2021 për shkak të mungesës së kërkesës nga jashtë, farës së keqe dhe çmimeve të ulëta, çoi në rënie për herë të parë së paku në 16 vite eksportet e prodhimeve të fushës në Shqipëri, zarzavatet.

Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme, eksportet e zarzavateve arritën gjatë vitit të kaluar 8,830 milionë lekë me rënie me 0.4 për qind në raport me vitin e kaluar. Zarzavatet janë produkti më i eksportuar nga grupi i ushqimeve me një rritje të shpejtë vitet e fundit si rrjedhojë e investimeve në sera dhe shtimit të sipërfaqes se mbjellë.

Nga viti 2010 në vitin 2021 eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, duke arritur një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh nga 464 milionë lekë më 2010.

Rritja e të ardhurave nga eksporti rriti potencialet e bujqësisë në zonat më prodhuese të vendit, Fier dhe Berat. Eksportet ndikuan në rritjen e bizneseve në ferma, u bënë shkak për investime në teknologji, modernizim dhe ekspertizë. Mirëpo mungesa e subvencioneve në sektorin e prodhimit, çmimet e larta të inputeve, të kombinuara me mungesën e kërkesës në eksport në muajt e fundit 2020, i çuan në rënie të ardhurat për fermerët.

Situata nuk është aspak optimiste edhe këtë vit. Zinxhiri bujqësor që nga prodhimi, magazinimi, përpunimi dhe eksporti nuk pret rritje më 2022.

Fermerët kanë lajmëruar pakësim të mbjelljeve këtë sezon. Vladimir Çela i cili zotëron një nga format më të mëdha në zonën e Fierit tha se fermerët kanë mbjellë më pak sera. Shkak u bënë çmimet e larta të mbjelljeve të dyta dhe borxhet e larta në furnitorët e inputeve, tha Cela.

Gentian Ziu fermër në zonën e Kutallisë në Berat tha se, prodhimi në sera do të jetë më i ulët më 2022 pasi shumë sera nuk janë mbjellur me domate dhe kastravec.

Dhe në fusha mbjelljet janë më të pakta pasi ureja dhe nitrati janë arrit më gati 100%.

Edhe pjesa tjetër e zinxhirit nuk janë optimistë, sidomos eksportuesit. Si rrjedhojë e heqjes së skemës së subvencionit të TVSH-së. Kompanitë e grumbullimit dhe eksportit të fruta-perimeve në vend pohojnë se nuk presin rritjen vitin në vijim.

Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para dhe mungesa e tregut po lë pa mbjellë qindra hektarë tokë për sezonin tjetër. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar.

Gjithashtu janë rritur kostot për të gjitha helmet dhe pesticidet e tjera, plastmasën dhe hekurin e serrave, ndërkohë që çmimet e grumbullimit të prodhimeve kanë mbetur të ulëta.Monitor.

Artikulli paraprakTEMPERATURA NGA -7°C DERI NË 13°C, PARASHIKIMI I MOTIT SOT
Artikulli tjetërKREU I OBSH: PANDEMIA NUK ËSHTË AFËR FUNDIT