Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj politikanëve në Porto Riko, mbi kritikat e tyre ndaj përpjekjeve të ndihmave të SHBA-së për ishullin, pas uraganit Maria.

Uragani i kategorisë së katërt, një javë më parë i mori jetën 16 vetëve në ishull dhe la miliona të tjerë në nevojë për ndihma. Në një seri postimesh në Twitter, Trump tha se zyrtarët e Porto Rikos kanë treguar aftësi të mangëta lidershipi dhe se duan që të tjerët të bëjnë gjithçka për ta. Kjo vjen pasi krye-bashkiakia e San Huanit bëri një apel të dëshpëruar për ndihma federale. “Nuk kemi më kohë për të pritur. I kërkoj presidentit të Shteteve të Bashkuara të garantojë që ka dikë të ngarkuar me shpëtimin e jetëve.

Jam lodhur duke qenë e sjellshme, jam lodhur edhe duke qëndruar korrekte politikisht. Jam e zemëruar sa nuk ka ku të shkojë”, u shpreh Carmen Julin Cruz, krye-bashkiakia e San Huanit. Ajo u shfaq edhe me një bluzë në të cilën shkruhej, “na ndihmoni, po vdesim”, gjatë një interviste për CNN. Sipas saj, Porto Riko do të mbetet pa energji elektrike për gjashtë muaj, pasi stuhia ka dëmtuar 90 për qind të shtëpive në ishull. Mëngjesin e të shtunës, nëpërmjet Twitter-it, Trump nënvizonte se kryebashkiakes i ishte kërkuar nga demokratët të tregohej e ashpër.

Ai po ashtu tha se do të vizitonte Porto Rikon të martën, shoqëruar nga zonja e parë, Melania. Ai u detyrua të mbronte reagimin e administratës së tij ndaj uraganit, pas kritikave të shumta. “Ky është një ishull i rrethuar nga ujë, ujë oqeani”, tha ai në një konferencë për shtyp. Pothuajse gjysma e popullatës prej 3.4 milionë banorësh të ishullit nuk ka ujë të pijshëm. Ndërkohë për momentin po bëhen përpjekje për të hapur rrugët në ishull dhe për të kthyer spitalet në gjendje pune. Porto Riko është territor amerikan, por nuk ka përfaqësim direkt në votime.

Artikulli paraprakMADRIDI SHTON MASAT POLICORE
Artikulli tjetërDE BIASI MERR FITOREN E PARË NË SPANJË