Duke filluar nga kjo e hënë komunat e Maqedonisë do të jenë pa kryetarë dhe këshilla komunal, për shkak të skadimit të mandatit të tyre pikërisht sot.
Për të zgjidhur këtë situatë që mund të çoj në paralizim të pushtetit lokal, në Parlament është thirrur një takim koordinues mes partive politike parlamentare. Më 15 maj skadon mandati katërvjeçar i 80 kryetarëve të komunave, dhjetë nga të cilët në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e pushtetit lokal. Zgjedhjet duhej të mbaheshin muajin e kaluar, por për shkak të krizës politike lidhur me Qeverinë e re dhe mos-konstituimin e Kuvendit, nuk u arrit që ato të shpalleshin në afatin e përcaktuar. Kryetarët e grupeve parlamentare në një takim të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pritet të vendosin mbi ndryshimet e nevojshme për shtyrjen e zgjedhjeve dhe zhbllokimin e punës së komunave, që do të pasojë pas skadimit të mandatit të tyre në mesnatën e ditës së hënë.
Një takim i tillë u mbajt të shtunën ku të pranishëm ishin Nikolla Todorov i VMRO-DPMNE, Oliver Spasovski i LSDM, Zekirija Ibrahimi nga BESA, Sadulla Duraku nga BDI dhe Luan Tresi nga PDSH. Por sot, ndryshe nga dita e shtunë, deputetët e VMRO DPMNE-së kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Kuvendit me pretekstin se Talat Xhaferi nuk është kryetar legjitim dhe se procedura e zgjedhjes së tij është antikushtetuese. Mos gjetja e një zgjidhje do të jo vetëm që do të thellonte krizën aktuale politike, por do të krijonte një kaos në funksionimin e pushtetit lokal në Maqedoni ku pasojat më të rënda do të binin mbi qytetarët.