Kroacia ka mbyllur 7 nga 8 rrugët e kufirit me Serbinë pas një fluksi të madh emigrantësh, një ditë pasi Hungaria mbylli kufirin e saj me Serbinë. Zyrtarët kroatë thanë se nuk kishin zgjidhje tjetër, pasi më shumë se 10 000 emigrantë hynë në vend të mërkurën. Vetëm rruga që lidh Beogradin me Zagrebin, në Bajakovo, mbetet e hapur aktualisht.
Autoritetet kroate janë përpjekur të strehojnë refugjatët në qendra azili, por numri i madh i tyre ka bërë që shumë persona të mbeten rrugëve.Të enjten, ministri i Brendshëm kroat, Ranko Ostojic, tha se vendi i tij “është mbushur plot”. Ai iu drejtua emigrantëve me këtë mesazh: “Mos ejani më këtu! Qëndroni në qendrat e emigrantëve në Serbi, Maqedoni dhe Greqi. Kroacia nuk është rruga për në Europë. Nuk mund të shkoni dot me autobus në veri, është një gënjeshtër”.