20 vite më parë, ditët e muajit mars edhe në Shkodër do të ishin një pjesë e zezë e historisë.

Depot e armëve u shpartalluan dhe populli u armatos duke sjellë një destabilitet total. Ishte viti 1997. Një prej protagonistëve të asaj kohe Mark Kroqi, kryetar i këshillit bashkiak në atë vit ka pranuar të rrëfejë ato momente të tmerrshme kur i ashtëquajturi Komiteti i Shpëtimit, i përbërë sipas Kroqit nga kontigjentë të krimit nuk u arrit të krijohej si në shumë qytete të tjera. Nga mbledhjet që u bënin u arrit që të dëbohej i ndjeri Azem Hajdari. Për të shmangur krijimin e Komitetit të Shpëtimit që do të ishte një strukturë kriminale paralel me institucionet, mbledhjet e fshehta u legalizuan në zyrën e kryetarit të bashkisë të asaj kohe Bahri Boriçi të cilit përveç presioneve iu drejtua edhe arma.

Një moment i trishtë ishte grabitja e thesarit të Shkodrës me 16 mars 1997. Pak muaj më pas në 20 janar 1998 situata vijoi e agravuar teksa persona të armatosur e të maskuar morën peng prefektin e asaj kohe Gëzim Podgorica që ishte emëruar nga qeveria socialiste. Kroqi bëhet sërish protagonist dhe rrëfen se pasi qëndroi gjithë natën në zyrë në pak ditë u përball me akuzën si organizator i pengmarrjes.

Mes ngjarjeve të vitit 1997, ata që stabilizuan situatën dhe ndikuan që të mos kalohet në një anarshi totale ishin përfaqësues të komuniteteve fetare. Sot pas 20 vitesh Kroqi shprehet se një pjesë e kontigjentit të krimit të vitit 1997 janë ricikluar duke qenë edhe aktualisht në politikë. Viti 1997 në Shkodër përveç bandave, terrorit e grabitjeve prodhoi edhe një numër të lart viktimash që u pasua edhe në vitet e mëpasme me larje hesapesh. Pjesa më e madhe e ngjarjeve kriminale të asaj kohe ende sot nuk janë zbardhur duke bërë që edhe sot Shkodra të vuaj pasojat.

Artikulli paraprakDITA NDËRKOMBËTARE E PYJEVE
Artikulli tjetërTRANSPARENCA NË BUXHETIN E NJËSIVE VENDORE