Janarin e kaluar, transferimi i tij tek klubi arab, Al Hajer, bëri bujë, por në fakt gjërat nuk shkuan ashtu si duhet. Mesfushori shkodran, Arsid Kruja, aktualisht është pa skuadër.
Njëkohësisht, edhe në proces gjyqësor. Pikërisht me klubin që ka në pronësi kartonin e tij. Arsyeja është e qartë: Arabët nuk kanë zbatuar asnjë pikë të kontratës dhe për këtë arsye shkodrani 22-vjeçar nuk mund të qëndrojë “peng” i tyre. Për këtë arsye, kohët e fundit ka angazhuar një avokat për ta hedhur në gjyq këtë klub. Procedurat tashmë kanë nisur dhe institucioni i futbollit botëror, pasi është njohur me provat e paraqitur nga futbollisti shqiptar, pritet të caktojë datën e gjyqit. “Jemi në pritje të caktimit të datës së gjyqit dhe të fitimit të lirisë nga kontrata që kam nënshkruar me klubin arab. Natyrisht që do ta fitoj atë, sepse e drejta qëndron në anën time, por shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të nis të luaj,” – thotë lojtari . Kruja, pasi firmosi për 3 vjet e gjysëm me Al Hajer, u huazua nga kjo skuadër te Flamurtari i Vlorës për gjashtë muajt e fundit të sezonit të kaluar. Gjatë asaj periudhe, arabët nuk bënë kompesimin e pagesës së rrogës, që lojtari kishte të shkruar në kontratë. Pas mbylljes së këtij huazimi, në fillim të sezonit aktual ai u huazua sërish në kampionatin shqiptar, këtë herë te Laçi, me të cilin luajti deri në dhjetor. Në këto rrethana, futbollistit shkodran i duhet tashmë të ndërpresë kontratën me Al Hajer dhe njëkohësisht të kërkojë dmëshpërblim për mosrespektim të kontratës. Gjatë kësaj periudhe, ai ka zhvilluar stërvitje individuale, megjithatë do t’i duhet jo pak punë që të rikthehet në nivelin e tij më të mirë. Sidoqoftë, për momentin, gjëja më e rëndësishme është fitimi i gjyqit.