Xhelal Mziu mbetet i vendosur për të mos liruar zyrën e bashkisë së Kamzës, në të cilën është shpallur fitues në zgjedhjet e 30 qershorit Rakip Suli i Partisë Socialiste.
Pas daljes nga takimi me kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë blu, Mziu pati këtë koment për median.
Pyetje: A morët një vendim?
Xhelal Mziu: Vendimi është marrë me datë 30 që ishte i paligjshëm, e tregoi dhe pjesëmarrja.
Pyetje: Mesa po kuptoj ju nuk do të lini zyrën.
Xhelal Mziu: Asnjë lloj shansi nuk ka për të lënë një farsë elektorale.
Pyetje: Edhe nëse jua kërkon Lulzim Basha nuk do të dilni nga zyra?
Mziu: Nuk ka lidhje Lulzim Basha. Ne interpretojmë ligjin dhe kemi lexuar votat popullore. Ky është mendimi i shumicës së shqiptarëve, 85%.
Kapllanaj: Lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit
Në të njëjtën linjë me të ishte edhe kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj, i cili tha se zgjedhjet në 30 qershor ishin një farsë.
Kapllanaj tha se kandidati i PS-së në Mallakastër është zgjedhur fitues me 13% të votave, aq saç janë militantë të PS-së në këtë zonë.
Ndaj sipas tij edhe sikur procesi të ishte i rregullt ai nuk do të kishte të drejtën morale të ulej në atë zyrë.
Andaj ai i la takim me 13 tetor, duke e paralajmëruar se do të humbë me dyfishin e votave që mori në 30 qershor.
Agron Kapllanaj: Nuk ishte tema e takimit me Bashën të lirojmë zyrat apo jo. Hap pas hapi po bëjmë denoncimet tona dhe provat që kemi grumbulluar nga votimet farsë. Ne do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit dhe i konfirmuar nga të gjitha institucionet. Pra kur të ketë zgjedhje dhe jo votime.
Këto janë votime që nuk njihen, nul dhe votime pa një dekret të Presidentit. Ky është vendim i bërë i ditur nga gjithë opozita. Këto janë zgjedhje farsë, nul, nuk do të njihen. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në detyrën tonë përsa kohë të bëhen një palë zgjedhje të rregullta dhe aty nëse do të vijë dhe të fitojë përballë çdo kandidati të PD një kandidat tjetër i cili do të marrë shumicën dërmuese të votave ne do ta mirëpresiom dhe do ti dorëzojmë shiritin sipas rregullave dhe sipas ligjit.
Nuk mbajmë me dhunë asnjë zyrë por do tu shërbejmë qytetarëve sakohë nuk ka pasur zgjedhje në asnjë zonë.Për ankimimin janë duke u marrë personat që janë caktuar.
Këto janë votime për PS, kandidati i PS në Mallakastër ka marrë 13% të votave, 13% janë anëtarë të PS në Mallkastër, praktikisht është kryetari i militantëve të PS-së në atë zonë. Në 2017 në Mallakastër kanë marrë pjesë 55% e zgjedhësve. A mund të përfaqësojë mallakastriotët një kryetar me 5690 vota? E pamundur.
Edhe sikur procesi të ishte i rregullt, nuk ka të drejtën morale të shkojë në zyrë. Kur të bëhen zgjedhjet me 13 tetor, kush të fitojë do ti shtrëngojë dorën, do ti uroj punë të mbarë nëse do të dalë fitues. Por jam i bindur se do të dalë humbës me dyfishin e votave që ka marrë sot.
Më i rezervuar ishte kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.
Fran Frrokaj: Unë nuk flas personalisht, jam institucion dhe flas në emër të institucionit.
Sa i takon datës për protestën kombëtare të radhës, Kapllanaj tha se është diskutuar data dhe shumë shpejt do të bëhet publike.
Kjo ishte mbledhja e dytë e Bashës me kryetarët e bashkive të PD-së, pas asaj të një dite më parë.
Pas kryebashkiakëve, Basha vijoi takimin me kryetarët e PD-së në rrethe.