Kryebashkiakja e qytetit më të madh në Porto Riko kritikoi ashpër një ministre të kabinetit Trump, pasi ajo e cilësoi reagimin amerikan ndaj krizës në ishull, si një histori të mirë për lajme.
Sekretarja e sigurisë së brendshme Elaine Duke tha se ishte shumë e kënaqur me progresin e shënuar, duke konsideruar një histori të mirë për lajmet, aftësinë e autoriteteve për të mbërritur tek njerëzit. Por kryebashkiakja e San Huanit, Carmen Yulin Cruz, në një lidhje të drejpërdrejtë me CNN, tha se kjo s’është një histori e mirë për lajmet, por një histori ku njerëzit po vdesin. “Mbase nga atje ku është sekretarja, është lajm i mirë, por ku pi ujë nga përroi dhe kur nuk ke ushqim për fëmijët, nuk është histori e mirë për lajmet”, deklaroi Cruz.
Një javë pas kalimit të uraganit shkatërrimtar Maria, miliona njerëz në Porto Riko kanë nevojë për ndihmë urgjente. Atyre i mungojnë ilaçet, ushqimi, uji i pastër dhe streha. Shumica e ishullit vazhdon të jetë pa energji elektrike dhe zyrtarët lokalë thonë se ajo do të kthehet pas 6 apo 8 muajsh. Vetë presidenti Trump tha se në Porto Riko gjithçka është shkatërruar dhe se rindërtimi nis nga zero, diçka që tregohet qartë edhe nga fakti se ndihmat e shumta kanë mbetur në portin e San Huanit, pasi nuk ka rrugë për t’i shpërndarë deri në zonat e izoluara.