Kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci përkujtoi 33 vjetorin e 2 prillit 1991 duke vendosur kurore me lule në memorialin e katër martirëve Arben broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. Kryebashkiaku Beci i shoqëruar nga kryetari i këshillit bashkiak Oltion Luli dhe drejtorja e zyrës së kulturës Amila Gjyrezi nderoi të rënët e 2 prillit. Kjo është hera e parë në këto 33 vite që përfaqësues socialist nderojnë masakrën e 2 prillit dhe vendosin kurore me lule pranë memorialit. Deri më tani nuk kishte ndodhur asnjëherë që të majtët të marrin në këtë ditë të rëndësishme.
Ndërkohë pas vendosjes së kurorave me lule, kreu i bashkisë Beci reagoi në rrjete sociale duke thënë se fatkeqësisht totalitarizmi monist i mori jetën katër bijve të Shkodrës ndërsa postoi edhe disa foto në zyrën e tij teksa priti familjen e Bujar Bishanakut, njërit prej të rënëve me 2 prill 1991:
“2 Prilli 1991 ishte dita që i dëshmoi të gjithëve që totalitarizmi nuk largohet vetë, atë e mposhtin njerëzit. Shkodra ia dëshmoi këtë gjithë Shqipërisë, fatkeqësisht edhe me jetën e katër bijve të saj. Me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë, shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Bashkiak e drejtues në institucionin tonë kemi vendosur sot kurora në Memoralin kushtuar për Dëshmorët e Demokracisë, si dhe pata nderin të prisja në zyrën time familjen Bishanaku. Mirënjohje e respekt për katër dëshmorët, familjarët e tyre dhe gjithë nxënësit, studentët e qytetarët që nga Shkodra nisën rrugën e lirisë!”, shkruan kryebashkiaku Beci.