Për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, miratimi i reformës zgjedhore do t’i jepte fund krizës politike, por sipas saj është kryeministri Edi Rama që nuk e dëshiron implementimin e saj pasi ka frikë nga zgjedhjet. Teksa shpërndau karta anëtarësie të të rinjve që angazhohen në partinë e saj, Kryemadhi tha se vendi ka nevojë për një pak kombëtar, që nuk është një marrëveshje politike, për të hartuar politika afatgjata për Shqipërinë.

Ajo tha se prioritet është hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe plotësimi i 9 kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman. “Ne si LSI marrim përgjegjësitë dhe angazhohemi të çojmë deri në fund reformat”, tha kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Sot Shqipëria po kalon një situatë të vështirë, 2019-a një nga vitet më të vështira që kaloi Shqipëria. Kaluam fatkeqësinë e 26 nëntorit, nga tërmeti fatkeq që solli viktima në njerëz si rezultat i një papërgjegjshmërie të shtetit. Përgjegjësia e mungesës së shtetit, së respektit ndaj qytetarit ka qenë një nga problemet e qeverisjes.

Si përmallohej kryeministri, puthe duar e ballë viktimash, sot më 12 janar qytetarë pa shtëpi vijojnë jetojnë në çadra, të tjerë kanë dalë nga hotelet, duke u tallur me bonusin qesharak të qirave. Kësaj qeverisje i ka munguar dashuria për njerëzit e vendit të saj. Korrupsioni është ai që e ushqen pafundësisht këtë qeveri, që blen mediat, heshtjen e qytetarëve.

Nëpërmjet korrupsionit bllokohen reforma të rëndësishme për vendin. Ne si LSI deri më sot kemi qenë në kuadrin e denoncimit, por sot marrim përsipër përgjegjësitë tona si parti politike. Nuk është rëndësia tek numri i votave, por tek përgjegjësia dhe angazhimi ndaj qytetarëve. Ne i kem i përballuar përgjegjësitë. Ne angazhohemi për çuarjen deri në fund të reformave. Hapja e negociatave është një na prioritetet kryesore, jo vetëm e LSI por e 99% të shqiptarëve.

Do dëshiroja të flisnim gjatë për këtë proces, por do të vazhdojë hap pas hapi. Bundestagu dhe Këshilli Evropian i ka bërë të qarta kushtet. Duke filluar me miratimin e reformës zgjedhore, për t’i dhënë fund krizës politike. Është e rëndësishme mbyllja e detyrave të shtëpisë.

Jemi të gatshëm për të paraqitur propozimet tona, dhe janë gati. Ka një njeri që nuk do që kjo të eci, se duke mbyllur reformën zgjedhore, atij i vjen hapi i dytë, që janë zgjedhjet. Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar me realizimin e reformave kryesore, që nuk është një pak politik.

Ky pakt kombëtar ka të bëjë me hartimin e politikave afatgjata për Shqipërinë. Shqiptarët sot nuk kanë bukë të hanë në tavolinat e tyre. Në gratë dhe vajzat në Shqipëri do të punojmë cdo ditë për të t’i ngjitur këmbët dhe duart, do ta ngrëmë në këmbë Shqipërinë që të eci dinjitoze dhe krenare siç ka ecur gjithmonë”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi tha se ka nisur tashmë një fushatë në të gjithë Shqipërinë për hapjen e dyerve të LSI-së me anëtarësime të reja.

“Sa më shumë të jemi në këtë iniciativë për të rindërtuar vendin tonë aq më shpejt do të realizohet…dhe nuk do të jetë çështje dekadash, por muajsh. Sa më shumë shqiptarë të angazhohemi në politikë,

për të vendosur ne, dhe jo oligarkët, dhe jo Rama me kapjen e ekonomisë shqiptare, me shantazhimin dhe kapjen e sistemit të drejtësisë…E ardhmja e shqiptarëve është në duart e shqiptarëve. Duhet të ecim cdo ditë, të gjithë bashkë për t’i thirrur të tërë për t’u bashkuar dhe për ta ndryshuar këtë realitet”, tha kryetarja e LSI.

Artikulli paraprak“FLY ERNEST” ANULON 5 FLUTURIMET E SOTME, PAS 13 JANARIT PEZULLOHEN TË GJITHA
Artikulli tjetërSHKODËR, PREZANTOHET LIBRI “BIJAT E GJENERALIT”