Ditë të zezë për Belgjikën e ka cilësuar kryeministri belg, Charles Michel, këtë të martë pas sulmeve terroriste që tronditën Brukselin. Kryeministri Michel tha gjatë një konference shtypi se Belgjika i druhej sulmeve të tilla dhe ato ndodhën.
“Ne i druheshim sulmeve të tilla dhe ato ndodhën”, tha Michel në një konferencë shtypi. “Ka shumë njerëz të vdekur dhe shumë të plagosur”, shtoi ai, pa konfirmuar një numër zyrtar. Kryeministri ka shmangur shifrat për bilancin e viktimave dhe të të plagosurve në ngjarje. “Po përpiqemi të stabilizojmë situatën, por shqetësimi nuk ka përfunduar. Prioritet kemi trajtimin e të plagosurve në këto atentate, i kemi transportuar drejt spitaleve të ndryshme. Ka një numër viktimash dhe të plagosurish. E kemi çuar nivelin e sigurisë në nivelin katër, po marrim masa shtesë sigurie. Kemi përforcuar sigurinë në kufij dhe kontrollet në transportin publik. Është një ditë e zezë për vendin tonë deri në këto momente, është një tragjedi”. Presidenti i Francës, Francois Hollande tha të gjitha shtetet e botës duhet të angazhohet ndërkombëtarisht për të luftuar terrorizimin. Gjatë një konference shtypi pak më parë në Paris, ai tha se bashkohej me dhimbjen e familjarëve të viktimave në Bruksel, duke shtuar se të gjithë janë përballë një kërcënimi global. Hollande: Të gjitha mendimet tona shkojnë tek familjarët e viktimave dhe dhimbja ndahet me ta. E gjithë bota është e shqetësuar për këto sulme. Duhet të jemi të vetëdijshëm për rrezikshmërinë e lartë të sulmeve terroriste. Kjo sprovë në Bruksel vjen pas plagosjes serioze të Parisit në janar dhe në nëntor. Sot jemi përpara një kërcënimi global dhe kërkon përpjekje globale. Franca dhe Belgjika janë të lidhura dhe tani jemi të lidhura edhe nga dhimbja që ndajmë. Ne do të japim mbështetjen e domosdoshme. Për kreun e Shtetit të Francës, reagimi duhet të bëhet në gjakftohtësi pa shkelur dhe cenuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Hollande: Ne duhet të reagojmë kundër terrorizimit me gjakftohtësi. Siç kemi bërë në Francë, që të jetë efikas, por edhe të respektojë liritë. Që na shërben për bashkimin tonë, dhe nuk flas vetëm për Bashkimin Evropian, por për të gjitha vendet që duan të veprojnë kundër terrorizimit. Në këtë periudhë duhet të jemi të bashkuar dhe në kohezion të plotë dhe solidarë. Dje ishte Franca, sot Belgjika.