Kryeministri francez Manuel Valls ka paralajmëruar se Franca mund të bëhet objekt i sulmeve të tjera të militantëve islamikë. Në një lidhje direkte me studion e televizionit TF1, Valls ka mbështetur linjën e presidentit Hollande, për luftë të pamëshirshme ndaj Shtetit Islamik. “Jemi në luftë.

Do të jetë një luftë e gjatë dhe e vështirë dhe për këtë them se duhet të presim sulme të tjera”, ka thënë Valls.  Ndërsa ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve ka lënë të hapur mundësinë e vendosjes së shtetrrethimit në Paris. “Prefektët kanë mundësinë që ta dekretojnë shtetrrethimin”, ka thënë mbrëmjen e së shtunës Cazeneuve për mediat franceze. Ndërkohë, liderët e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë reaguar ndaj ngjarjes përmes një deklaratë të përbashkët, ku kanë theksuar se ndaj së keqes duhet reaguar bashkarisht. “Bëhet fjalë për një sulm kundër të gjithëve ne. Do t’i bëjmë ballë këtij kërcënimi të gjithë së bashku, me të gjitha mjetet e nevojshme dhe me një vendosmëri të paepur”, thuhet në deklaratë. Të unifikuar, liderët e BE-së theksojnë se, 13 nëntori do të jetë një ditë zie europiane. “E mira është më e fortë se e keqja. Gjithçka që mund të bëhet në nivel europian për të garantuar sigurinë e Francës do të bëhet”, vijon deklarata. Ndërkohë, lajmet e fundit nga Parisi bëjnë me dije se në kuadër të masave të sigurisë, autoritetet kanë vendosur që Kulla Eiffel të qëndrojë e mbyllur “deri në një urdhër të ri”. 

Artikulli paraprakFRANCË, IDENTIFIKOHET NJË PREJ ATENTATORËVE TË PARISIT
Artikulli tjetërI GJITHE GLOBI VISHET TRIKOLOR ,SOLIDARITET ME FRANCEN