Kryeministri i ri i Italisë Paolo Gentiloni prezanton qeverinë
Kryeministri i ri i Italisë Paolo Gentiloni ka prezantuar sot pasdite para Presidentit të Republikës Sergio Mattarella listën e ministrave të qeverisë së tij. Qeveria e re italiane është një qeveri e mazhorancës së Partisë Demokratike e mjaft prej emrave të ministrave të sapo emëruar kanë qënë pjesë e ekzekutivit të dorëhequr të kryeministrit Renzi. Në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, funksion që deri pak ditë më parë e kryente kryeminsitri Paolo Gentiloni, është emëruar Anxhelino Alfano, ish Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë Renzi e lideri i Partisë Nuova Centro Destra (Qëndra e Re e Djathtë). Ministër i Brendshëm është emëruar Marco Minniti, ish nënsekretar në qeverinë Renzi dhe i deleguar për Shërbimet Sekrete. Ministre e Punës është emëruar Teresa Bellanova, ish zëvëndës ministre e Zhvillimit Ekonomik në qeverinë Renzi, Janë rikonfermuar në postet e tyre të mëparshme Pier Carlo Padoan, Ministër i Financës, Carlo Calenda (Sviluppo economico), Roberta Pinotti Ministre e Mbrojtes, Beatrice Lorenzin Ministre e Shëndetësisë, Andrea Orlando Ministër i Drejtësisë, Graziano Delrio, Ministër i Transportit, e Dario Franceschini Ministër i Kulturës. Qeveria e re në ora 20.00 do të bëj betimin para Presidentit të Republikës.