Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi të kryej hetime për presidentin Hashim Thaçin, lidhur me një marrëveshje që ai si kryeministër e kishte nënshkruar me sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në komunikatën e lëshuar nga Albin Kurti thuhet se “Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj”.
‘Unë, – shkruan Kurti – e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj dhe garantoi se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”.
Zyra e Kryeministrit njofton se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2013 mes Thaçit dhe dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen parashihte të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit, për një periudhë pa afat.
Albin Kurti, ka njoftuar sot përmes një shkrese zyrtare se e ka informuar edhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani, lidhur me një marrëveshje sekrete, për të cilin Kurti mendon se është shkelur kushtetuta e vendit.