Me një mesazh televiziv drejtuar popullit grek dhe me tone dramatike kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka shpallur kufizime të reja të rrepta për të pavaksinuarit në vend, në një moment kulmimi të valës së katërt të pandemisë në Greqi.
“Nga e hëna e ardhshme, të gjithë qytetarët e rritur të pavaksinuar, përveç hotelerisë, nuk do të hyjnë në ambiente te mbyllura . As me testet negative. As në kinema, teatro, muzeume apo palestra. Është një masë mbrojtëse e menjëhershme dhe sigurisht një nxitje indirekte për t’u vaksinuar”- tha Mitsotakis.
Gjithashtu Mitsotakis ka deklaruar se për të gjithë qytetarët me moshë mbi 60 vjeç certifikata e vaksinimit skadon shtatë muaj pas kryerjes së vaksinimit. Me fjalë të tjera, ata do të duhet t’i nënshtrohen një vaksinimi të ri çdo gjashtë muaj për të marrë certifikatën e re,pasi të dhënat mjekësore tregojnë se mbrojtja e vaksinës me kalimin e kohës zvogëlohet. Edhe për të hyrë në kisha, duhet që besimtarët tashmë të tregojnë testin negativ.
“Sot, më shumë se 7 milionë grekë kanë zgjedhur vaksinën. 3 në 4 të rritur. Megjithatë, 575,000 bashkëqytetarë mbi moshën 60 vjeç mbeten të pambrojtur dhe ne e dimë se ata goditen më rëndë nga virusi. Ndërsa gati 1.5 milionë të të njëjtit grup plotësuan 6 muaj nga vaksinimi i tyre. Edhe pse të mbrojtur, ata bëhen më të prekshëm, pasi kanë më pak antitrupa”- shtoi kryeministri.
Si masë tjetër kreu i qeverisë ka njoftuar shtrirjen e orarit në sektorin publik dhe privat në mënyrë që të mos ketë përqëndrim të madh njerëzish në ambientet e punës, por edhe në mjetet e shërbimit urban. Ai ka përsëritur se do të përforcohet edhe më tej sektori shëndetësor me ndihmën e sektorit privat dhe ka përfunduar mesazhin duke bërë përsëri thirrje për vaksinim, si mënyra e vetme për të përballuar pandeminë.
Greqia ka regjistruar përsëri në 24 orët e fundit mbi 7000 infektime, 556 të intubuar dhe 63 humbje jete që e kanë çuar në total numrin e viktimave nga koronavirusi në 17075. Vetëm gjatë nëntorit kanë humbur jetën gati 1100 persona.