Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni sot do të vizitojë Shqipërinë, ku do të inspektojë qendrat e emigrantëve që po ndërtohen nga qeveria Italiane në territorin shqiptar. Punimet për qendrën pritëse në Shëngjin përfunduan një ditë para vizitës së Melonit, aty ku edhe dy homologët pritet të mbajnë një konferencë për shtyp.

Meloni dhe Edi Rama në orën 11:15 do të vizitojnë zonën e Gjadrit në Lezhë, që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit. Më pas në 12:00 në qendrën pritëse në Shëngjin do mbahet konferenca Rama-Meloni.

Masat për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit kanë nisur prej të hënës, pasi në Portin e Shëngjinit kanë mbërritur tashmë oficerë të policisë italiane.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë që do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e refugjatëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit. Qendra pritëse do të ketë një kapacitet 3 mijë vende, ndërsa në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do t’i largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.

Protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është çuar përpara mes shumë debateve dhe kontestime nga politika dhe opozitat e të dyja qeverive.

Në vendin tonë, opozita e ka cilësuar si anti-kushtetuese me pretendimin se cenon integritetin territorial të vendit, ndërsa në vendin fqinj është folur për shifra të fryra që do të rëndojnë në buxhet, pa zgjidhur problemin real të emigrantëve të paligjshëm.

Artikulli paraprakTË MËRKURËN NË DASHURI DUHET TË KUPTONI SE…ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT
Artikulli tjetërVRANËSIRA DHE TEMPERATURA DERI NË 33 GRADË CELSIUS, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT