Prej orës 09:30 po zhvillohet konferenca mbi “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi”.
Pjesë e konferencës janë Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm, Luigi Soreca, ambasador i delegacionit të Bashkimit Europian, Yuri Kim ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bernd Borchardt ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Gjithashtu në takim janë edhe Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Arben Kraja.
Fjala e plotë e prokurorit të përgjithshëm Olsian Çela
Tryeza e sotme e ka pikënisjen nga një bisedë e zakonshme pune mes meje dhe zotit Carmine Pirozzoli, gjatë së cilës e njoha me idenë e organizimit të një takimi me partnerët tanë të misioneve ndërkombëtare të asistencës ligjore, për paraqitjen e një grupi propozimesh të Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim nisjen e disa projekteve me mbështetjen e tyre.
Aty u kristalizua edhe ideja e organizimit të një takimi më tepër se teknik, me mbështetjen e misionit Pameca, me qëllimin e përfshirjes në këtë proces jo vetëm të të gjithë kontribuesve potencialë, por edhe për të sjellë një risi në mënyrën e komunikimit të ideve dhe ndërtimit të partneritetit të prokurorisë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare.
Formalizimi i kësaj ndërmarrje ditën e sotme është pika fundore e një sërë takimesh që kam pasur me disa nga partnerët tanë që na kanë asistuar për një periudhë të gjatë në përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, të cilëve u kam prezantuar disa prej ideve që janë dhe tema kryesore e këtij takimi të sotëm,
por njëkohësisht është dhe inaugurimi i një qasje të re proaktive me tipare strategjike të Prokurorisë së Përgjithshme, si në drejtim të promovimit të ideve për përmirësimin dhe modernizmin e kapaciteteve të organit të akuzës, ashtu dhe të formave të ndërveprimit dhe bashkëpunimit me organet e tjera ligjzbatuese në vend.
Ndërkohë që reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje.
Reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhja finale e problemeve. Ato janë instrumenti që duhet të krijojë kushtet e favorshme për zhvillimin e një realiteti të ri, me synim progresin shoqëror. Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht.
Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëvve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin.
Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota.
Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve.
Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon t’a ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues.
Konfigurimi i ri kushtetues dhe ligjor e ka futur prokurorinë në një proces jo të lehtë të ripërcaktimit të tipareve identitare, ndërkohë që dinamikat në jetën e vendit zhvillohen me një ritëm të atillë që nuk tolerojnë dobësi strukturore apo organizative. Për rrjedhojë gjetja e zgjidhjeve efikase që përmirësojnë funksionimin e brendshëm të organit dhe bashkëveprimin e tij në rrafshin institucional me agjensitë e tjera ligjzbatuese mbetet i vetmi opsion i vlefshëm ndaj rrezikut që paraqesin aktivitetet kriminale.
Nisur dhe nga sa më sipër, qëllimi kryesor i takimit të sotëm është prezantimi i një vizioni që ne kemi për atë çfarë mund të bëhet më mirë, dhënia e ideve tona mbi zgjidhjen e sfidave që lidhen me mirëfunksionimin e zyrave të prokurorisë. Masat që ne vlerësojmë se duhet të ndërmerrren shtrihen në disa plane, duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale e deri tek strukturimi i bashkëveprimit ndërinstitucional.
Në këtë kuadër, objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve përmes ndërtimit të një sistemi efikas monitorimi të aktivitetit të tyre në ushtrimin e funksioneve.
Pjesë thelbësore e vizionit tonë është hartimi dhe zbatimi i një projekti madhor në funksion të mirëadministrimit të procesit të hetimit përmes modernizmit të tij ndërsa kemi hyrë në epokën dixhitale, duke perfeksionuar mënyrat e komunikimit dhe administrimit të të dhënave.
Rregullimi i ndërveprimit mes policisë gjyqësore dhe prokurorit që në fazën parahetimore është prioritet i rëndësishëm, pasi përmes ndërhyrjeve të natyrës administrative do të ulet ndjeshëm ngarkesa e panevojshme në punën e prokurorëve, duke rritur kështu produktivitetin.
Ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik.
Përtej këtyre, ne do të synojmë të vëmë në lëvizje një projekt për një qasje të re të institucioneve tona në raport me mënyrën e hartimit të politikave penale, përmes një këndvështrimi shkencor që bazohet mbi studime të mirëfillta kriminologjike, ku organet ligjvënëse, ato ligjzbatuese dhe bota akademike bashkëveprojnë për krijimin e modeleve realiste mbi instrumentet dhe mënyrat se si shoqëria jonë duhet të përballet me fenomenet kriminale.
E ndërsa përmirësojmë kapacitetet tona institucionale, objektiv duhet të jetë aftësimi i tyre për t’u përshtatur në një botë që është në ndryshim të vazhdueshëm, përherë e më shumë të hapur e të ndërlidhur. Ne duhet të jemi largpamës e kreativë, duke rritur aftësitë tona analitike dhe duke i dhënë prioritet një qasjeje strategjike konstante.
Ne nuk kemi mundësinë t’i materializojmë të vetëm këto ide, pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe bashkëpunimin e kontributin e institucioneve shqiptare. Ne sot presim nga të gjithë ju një vështrim kritik mbi këto ide, presim t’i përpunojmë ato më tej, t’i plotësojmë me ide të reja të sjella prej jush, të cilat të jenë më pas në bazë të projekteve të mirëmenduara e që përfshijnë këdo që mundet të japë një kontribut të vlefshëm.
Përmes kësaj inciative ne synojmë që të japim një ndihmesë reale në mirëmenaxhimin e energjive njerëzore dhe burimeve financiare që çdo vit investohen për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Koordinimi i përdorimit të këtyre burimeve të çmuara dhe eleminimi i fenomenit të mbivendosjes së projekteve, duke iu përgjigjur njëkohësisht kërkesave reale që vijnë nga përfituesit e tyre, është hapi i duhur drejt optimizimit të performancës për të gjithë ne.
Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen, shpreh besimin e thellë se vijimi i kësaj iniciative të sotme me hapa të tjerë në drejtim të konvergimit të ideve dhe kontributeve do të krijojë dinamika të reja në bashkëveprimin ndërinstitucional, me rezultate konkrete në zbatimin e legjislacionit penal,
të cilat do të shërbejnë si indikatorë të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit, përmes arritjeve konkrete që nuk synojnë përmbushjen e kritereve formaleve për hir të procesit, por të tilla që ndryshojnë në pikëpamje cilësore jetën e qytetarëve shqiptarë.