Komisioni i Ligjeve hap garën për kryeprokuror. Pas tre orësh debate dhe përplasje me opozitën, socialistët me vetëm 10 votat e tyre në Komisionin e Ligjeve miratuan këtë vendim, i cili shpall vakancën në krye të Prokurorisë së përgjithshme dhe nis procedurat e zëvendësimit.
Sipas këtij vendimi, brenda 5 ditëve që përfshijnë dhe tre ditët e pushimit zyrtar, deri të martën, të gjithë prokurorët që besojnë se plotësojnë kriteret mund të aplikojnë pranë Komisionit të Ligjeve për të qenë kryeprokuror. Kriteret i përcakton ligji janë: të kalojnë me sukses vettingun, kusht që deri më tani nuk e plotëson asnjë prokuror i republikës sepse rivlerësimi akoma nuk ka përfunduar për asnjë prej tyre. Kushte të tjera janë: të mos preket nga ligji i dekriminalizimit, të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; ç) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të asnjë shërbimi sekret; d) të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; dh) të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi. Por edhe Kushtetuta ka disa kritere.
Sipas saj, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Pas aplikimeve, Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë seanca dëgjimore me të gjithë kandidatëve, dhe brenda dy ditësh pasi të ketë përfunduar dëgjesat, do të përgatitë raport për secilin kandidat drejtuar Seancës Plenare. Do të jetë kjo seancë që do të vendosë përmes votimit të zgjedhë kryeprokurorin e ri të përkohshëm, i cili do të ushtrojë detyrën deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.