Shenjestroni korrupsionin në nivelet më të larta, hetoni politikanët e lidhur me krimin dhe vazhdoni deri në fund hetimet për ish-ministrin Saimir Tahiri. Këto kanë qenë disa nga porositë që ambasadori amerikan Donald Lu, i ka përcjellë kryeprokurores Arta Marku në takimin e parë me të, pas emërimit të saj në detyrë.
Lu ka kërkuar që drejtuesja e organit të akuzës, të ushtrojë detyrat e saj kushtetuese në mënyrë të pavarur dhe jo partiake duke ofruar për këtë edhe mbështetjen e SHBA. Ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu zhvilloi të enjten takimin e parë me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku që pas emërimit të kësaj të fundit në detyrë.
Në ora 10.00, diplomati amerikan i shoqëruar edhe nga zyrtarë të sektorit ligjor ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme ku është pritur nga drejtuesja e organit të akuzës. Burime të sigurta që ishin në dijeni të bisedës mes dy zyrtarëve, thanë se ambasadori amerikan Donald Lu, i ka kërkuar Arta Markut të nxisë prokurorët që të shënjestrojnë korrupsionin në nivele të larta.
Lu ka kërkuar që Marku t’i ushtrojë detyrat e saj kushtetuese në mënyrë të pavarur dhe jo partiake duke u shprehur se prokuroria ka mbështetjen e SHBA në këtë drejtim. Po kështu ambasadori ka kërkuar që hetimet për ish-ministrin Saimir Tahiri të vazhdojnë der në fund.